Krizat globale/ Ekspertja: Vendet po ‘vetëmbrohen’ duke u fokusuar tek ekonomitë kombëtare. Ndikimi që mund të kenë në Shqipëri

schedule14:32 - 31 Janar, 2024

schedule 14:32 - 31 Janar, 2024

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përmirësuar vlerësimin për ekonominë globale. Në raportin e Janarit, FMN pret që ekonomia botërore të zgjerohet me 3.1% këtë vit, një parashikim 0.2% më i lartë se ai i bërë në Tetor. Ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj Kortoçi, duke komentuar ndikimin që kanë krizat globale në ekonomi, theksoi se vendet po kthejnë fokusin tek ekonomia kombëtare, pikërisht për këtë arsye.

“Jemi në fazën që po kthehemi në një ekonomi rajonale dhe kombëtare që të përfitojmë dhe të shmangim sa më shumë këto kriza botërore. Sa më pak e varur të jetë Shqipëria nga importi, aq më lehtë do t’i përballojë krizat. Kjo i bën vendet të kthehen ndaj një ekonomie nacionale për të mbrojtur ekonominë e tyre dhe nga vetë zhvillimet globale si në aspektin ekonomik dhe politik.”, tha ajo për “Money Report”.

Por si ndikojnë krizat globale në ekonominë shqiptare?

Nunaj thotë se vendi ynë preket nga krizat që kanë prekur vendet me të cilat kemi shkëmbime më të mëdha tregtare, si me Italinë apo me Greqinë. Duke u ndalur tek turizmi, si një sektor që ndikon në rritjen ekonomike të vendit, ajo tha se duhet të punohet më shumë në mënyrë që të arrijmë turizmin elitar.

“Nëse do të analizojmë efektet që krijohen në ekonominë shqiptare, janë krizat që importohen. E para, analizohet se me kë ka më shumë marrëdhënie tregtare Shqipëria. Nëse është e varur nga importet, shikojmë se kush janë vendet me të cilat kemi volumin më të madh tregtar. Kjo rrit çmimin e produkteve të importit por edhe krijon probleme me eksportet. Përgjithësisht i realizon me vendet e BE-së, kryesisht Italia, Greqia dhe Holanda, dhe janë kriza të cilat në shtetet e BE-së kanë qenë më të kufizuara. Efektet e këtyre krizave globale, si sulmet ndaj anijeve në Jemen, është më i kufizuar në Shqipëri. Në rastin konkret, ndjen më shumë varësi nëse do të kishte rritje çmimi tek karburanti. Sa i përket produkteve ushqimore, gjenerohen përmes importeve në rajon dhe BE është më pak e ndjeshme.

Shqipëria ka deklaruar se synon që të mbështetë zhvillimin e ekonomisë në sektorin e turizmit duke marrë parasysh numrin e turistëve në 2023 por themeltare është qasja në të cilin do jemi pjesë e tregjeve. Duhet të synojmë integrimin e tregjeve shqiptare me Kosovën dhe më pas me atë rajonal në mënyrë që kompanitë shqiptare të ‘stërviten’ kur të jenë në BE. Nuk kemi kaluar ende tek turizmi elitar. Kemi informalizimin sepse nuk dëmton vetëm buxhetin e shtetit por edhe konkurrencën e ndershme. Ligji është rerhullator i mirë por shpresoj të ndodhë zbatueshmëria e saktë e tij”, u shpreh Nunaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!