Fermerët e Francës kanë bllokuar tetë autostrada që të çojnë në Paris ndërsa me qindra të tjerë janë duke lëvizur me traktorët e tyre drejt kryeqytetit. Fermerët rrethuan të hënën Parisin me barrikada që kishin si synim të bllokonin trafikun.
Synimi i tyre është që t’i bëjnë presion qeverisë për vendimet që do të marrin për të ardhmen e industrisë së tyre. Kjo e fundit është prekur rëndë që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Dhe, siç raportojnë mediat në vend, nuk dihet se deri kur mund të vijojnë me paralizimin e qarkullimit.
“Kemi vendosmëri totale,” deklaroi Arnaud Rousseau, drejtuesi i unionit agri-kulturor FNSEA.
Rousseau u takua me kryeministrin Attal të hënën mbrëma dhe njoftoi se do të vijonte që të negocionte me qeverinë. Në një intervistë, Rousseau deklaroi gjithashtu se do të duhet që qeveria të ndryshojë drejtimin dhe të rishohë, “masat simbolike të emergjencës” të marra deri më tani.
Ai shpjegoi se nga takimi me kryeministrin, beson se ai është i gatshëm që t’i trajtojë të gjitha shqetësimet e ngritura nga fermerët.
Fermerët kanë arritur të shmangin përpjekjet e policisë për t’i ndaluar, pasi qëllimi i tyre i deklaruar është të bllokojnë hyrjen në tregun e ushqimit Rungis, më i madhi në Europë, rreth 15 kilometra nga Parisi.
/abcnews.al