Talat Xhaferi kryeministër i RMV/ Arbër Ademi: Ne e quajmë një “nëntor tjetër” për mbarë shqiptarët, BDI ka disa vija të kuqe

schedule20:36 - 29 Janar, 2024

schedule 20:36 - 29 Janar, 2024

SHKUP– Maqedonia e Veriut për herë të parë do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, për 100 ditët e ardhshme. Të dielën, Talat Xhaferi u votua në Kuvend dhe kështu nisi rrugëtimin në krye të qeverisë.

Kryetar i grupit të deputetëve të BDI, Arbër Ademi, i ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, theksoi se ky është një moment historik për mbarë shqiptarët.

“Është një moment historik. Ne e quajmë një nëntor tjetër për mbarë shqiptarët, krahas dy nëntorëve që i kemi në Shqipëri. Është një arritje epokale, për të gjithë ne, që duhet ta materializojmë duke shënuar edhe hapa të mëtejshëm në vazhdimësi drejt rrumbullakimit të barazisë, drejt një kohezioni më të madh shoqëror”, tha ai.

Ai theksoi se BDI-ja dhe shqiptarët janë të vendosur që në zgjedhjet e majit të mbështesin forcat proevopoiane, në mënyrë që vendi të shkojë përpara në kursin perëndimor. Sipas tij, BDI-ja ka disa vija të kuqe, që çdo parti apo partner do duhet t’i respektojë ato për formimin e qeverisë, pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“BDI dhe shqiptarët janë të fokusuar, që fronti evropian i forcat progresive evropiane që të shënojë fitore, që ta mbajë RMV në binarët e perëndimit dhe mos të lejojë RMV që të rrëshqasë dhe të marrë ndonjë kurs tjetër drejt Moskës dhe lindjes në përgjithësi. BDI ka linja të kuqe, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në RMV. Vija të kuqe është respektimi i marrëveshjes së Ohrit, respektimi i Marrëveshjes së Prespës. Më të cilën u ndryshua emri i vendit, është repetimi i marrëveshjes për fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Këto janë vijat e kuqe të BDI dhe ne nuk do të hymë në një lloj bashkëpunimi me parti, të cilat nuk respektojnë këto postulate”, tha ai.

Ai shtoi se pa BDI-në, shumë ligje të rëndësishme nuk do mund të kalonin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“BDI në 2006, edhe pse i fitoi zgjedhjet në mënyrë absolute në bllokun shqiptar, ishte VMRO-DPMNE, e cila mori për partner një parti dukshëm më të vogël shqiptar në qeverisje. Ajo qeveria zgjati 15 muaj, sepse nuk kishte kapacitet për të qenë funksionale. Ne jemi të koncentruar, që fituesit tek shqiptarët, të jetë pjesë e qeverisjes, sepse në këtë mënyrë manifestohet vullneti i komunitetit më të madh. Pa ne, shumë ligje të rëndësishme nuk do mund të votohen”, tha ai.

Në fund, ai shprehu kritika për disa parti shqiptare, të cilat nuk votuan Talat Xheferin dhe vendosën të mbajnë anën e partive nacionaliste si VMRO-DPMNE.

“Disa parti shqiptare, do duhet të theksoj, se ne si parti politike kam shprehur keqardhje për vendimin e gabuar dhe janë rreshtuar në të njëjtin grup me partitë nacionalistët maqedonas, me VMRO DPMNE dhe të ekstremit të majtë”,  tha ai./ n.m.abcnews.al