SHKUP- Maqedonia e Veriut do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar për 100 ditët e ardhshme. Talat Xhaferi nga radhët e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim mori mandatin për formimin e qeverisë teknike, dhe kështu Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të dielën vendosi vulën duke votuar qeverinë e re teknike në shtetin fqinj.
Analisti nga Shkupi, Blerim Hyseni, tha se kjo është një etapë e re për për faktorin shqiptar.
“Dita e djeshme, e sotme dhe më tej, duhet të konsiderohet si një ditë ku fillon një etapë e re e zhvillimeve politike . Çdo parti politike shqiptare, duhet që në tavolinë të negociatave me partitë e tjera të jetë çështja e kryeministrit shqiptar. Çdo subjekt politik shqiptar në të ardhmen mund të kërkojë kryeministër . Nuk duhet të na kap euforia”, tha ai.
Ai shtoi se çështjen e kryeministrit shqiptar të gjitha partitë politike shqiptare duhet ta kenë kryefjalë në kërkesën e tyre. Zgjedhja e Talat Xheferit shtoi ai ka relaksuar marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
“Ky hap i kryeministrit ka relaksuar marrëdhëniet ndëretnike dhe shqiptarët kanë filluar të ndihem më komod. Partitë politike shqiptare duhet të jenë të unifikuara kur janë në mes interesat kombëtare, dhe kësaj here për fat të keq nuk ndodhi”, shtoi ai./n.m.abcnews.al