Ekonomia shqiptare do të ketë ecuri pozitive gjatë këtij viti. Gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit me BERZH paraditen e së hënës, guvernatori i Bankës Qendrore, Genc Sejko u shpreh se një sfidë mbetet ulja e inflacionit, që pritet të kthehet në objektiv brenda këtij viti.
Drejtori i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj theksoi se çmimi i euros ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Në një intervistë për “Money Report”, ai tha se Janari ka qenë një “ekuilibër i ri por pa luhatje të ndjeshme në lidhje me kursin e këmbimit”.
“Në raportin e BERZH, prioritet mbetet monitorimi i kujdesshëm i kursit të këmbimit, çka nuk kaloj pa pasur as vëmendjen e bankës shqiptare që përmendi stabilitetin e lekut. Qëndrueshmëria e ekonomisë na jep mundësi të flasim edhe për elemente të tjerë. Ekonomia ka performuar mirë pavarësisht se dy kanë qenë sektorët kryesore, ndërtimi dhe turizmi, që kanë qenë katalizatorët dhe udhëheqës së rritjes ekonomike në vend. Për sa kohë mbështetemi në këto dy faktorë, dhe elementët e tjerë si ndryshimet klimaterike, edhe këto elemente negativë të ngrohjes globale kanë ndikuar pozitivisht në sezonin e zgjatur të turizmit në vend. Kjo ndikon edhe tek euro, siç e kemi diskutuar që kursi i këmbimit ndikohet edhe nga pritshmëritë. Padiskutim që do të ndikonte edhe në 2024 të ndjekë trendin e 2023 dhe do të ngelemi në këto nivele.”, u shpreh ai.
Dy shtyllat kryesore që kanë ndikuar në rritjen ekonomike vitin e kaluar ka qenë ndërtimi dhe turizmi. Megjithatë, eksperti shtoi se është i nevojshëm që kjo të shtrihet edhe në fusha të tjera si bujqësia, e cila nuk ka marrë vëmendjen e nevojshme.
“Ekonomia nuk mund dhe nuk duhet, edhe për shkaqe të sigurisë, që të kemi vetëm dy shtylla. Në nivel evropian apo të vendeve të tjera, turizmi mbështetet edhe nga bujqësia, një element që nuk kemi treguar mbështetjen e nevojshme. Nuk kemi mbështetje as sa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia që konkurrojnë ndjeshëm në bujqësi në raport me ne. Sikundër dhe energjia e rinovueshmne. Ka pasur iniciativa si drejt asaj ujore apo hidrike janë faktorë mbështetës në tërësi në rritjen ekonomike. Varësia nga një apo dy sektorë të ekonomisë është me rrezik të shtuar dhe duhet të shophim për plane alternative për të mbështetur rritjen ekonomike.“, shtoi eksperti.
Duke u ndalur tek komenti i guvernatorit të bankës lidhur me ndryshimet klimaterike, Vakaj shtoi se është e nevojshme që qeveria, ashtu sikundër po veprojnë edhe vendet e tjera, të ecë me një plan, në mënyrë që këto efekte të përdoren edhe si oportunitete për të zhvilluar sektorë të caktuar të ekonomisë, por edhe për të parandaluar rreziqet e mundshme./abcnews.al