Gjeneralët e lartë të NATO-s kanë paralajmëruar se presidenti rus mund të godasë objektiva në të gjithë Europën në një luftë gjithëpërfshirëse kundër Perëndimit.
Udhëheqësit thanë se blloku mund të ketë jo më pak se tre vjet për t’u përgatitur për një ofensivë të mundshme ruse në tokën europiane, e cila do të shihte sulme kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake thellë pas vijave të frontit.
Ata thanë se Gjermania ka të ngjarë të veçohet si “fortesa” qendrore për linjat e furnizimit kontinental të NATO-s dhe se objektivat mund të variojnë nga fabrikat e municioneve dhe qendrat komanduese, te termocentralet, hekurudhat dhe urat.
Rusia ka përdorur tashmë taktika të ngjashme gjatë pushtimit të saj në Ukrainë, duke lëshuar raketa brenda territorit ukrainas, ndërsa vetë Ukraina është kundërpërgjigjur duke synuar depot e municioneve, karburantit dhe qendrat e komandës.
“Nëse krahasojmë luftën dhe operacionet dhjetë vjet më parë ose pesë vjet më parë, atëherë kuptojmë se duhet të pranojmë se edhe zonat e pasme do të goditen ashpër.
Duhet të supozojmë se një agresor do të përdorë të gjithë spektrin e forcës kinetike dhe jokinetike për të shkatërruar linjat e komunikimit, edhe në pjesën e brendshme të territorit.
Kjo varion nga aktet e sabotimit përmes luftës elektronike dhe kibernetike deri te mundësitë kinetike përmes raketave, dronëve e kështu me radhë”, tha gjeneral Alexander Sollfrank, komandanti i qendrës logjistike ushtarake të NATO-s në Gjermaninë jugperëndimore.
Gjenerali i NATO-s u bëri thirrje liderëve botërorë që të shkurtojnë “burokracinë” që pengon aftësinë e vendeve për të përdorur armë dhe teknologji nga një komb tjetër.
Sollfrank tha se rregullat mbi përdorimin e armatimeve dhe pajisjeve të ndryshme, ngadalësuan masivisht kohën e përgjigjes dhe kjo u pa në ofensivën ukrainase përballë fuqisë së Kremlinit.
Ai dha një shembull të parashutistëve që u ndalohet ligjërisht përdorimi i parashutave të bëra për ushtrinë e një kombi tjetër, edhe nëse ato janë funksionalisht identike.
“Edhe pse mund të mos lejohet për momentin, teknikisht nuk ka asnjë problem në shumë raste. Ku është problemi, për shembull, me një parashutist nga një komb europian A, duke përdorur një parashutë të një kombi fqinj B pasi është trajnuar në këtë sistem, ose duke bashkuar pajisje nga një komb në helikopterin e një kombi tjetër? Nëse nuk ka çështje teknike apo sigurie, pse jo”, shtroi pyetjen Sollfrank.
Ai tha se reduktimi i burokracisë për organizatat shumëkombëshe do të ishte çelësi për të siguruar që NATO të jetë e shkathët për të luftuar Rusinë.
Ndërkohë, gjeneral Jan-Ëillem Maas, shefi i Komandës së Mbështetjes së Mbrojtjes të forcave të armatosura holandeze, ra dakord se përgatitjet për një konflikt në mbarë bllokun duhet të avancojnë.
“Nuk jemi aty ku duhet të jemi, dhe kjo është shumë e qartë. Por lind pyetja, çfarë do të bëjmë për këtë?
Nëse shikoni se çfarë ka bërë Putin deri më tani, mendoj se ne kemi një pozicion më të mirë fillestar për operacionet e ardhshme. Nëse shikoni sesi Europa u bashkua pasi Putin pushtoi Ukrainën, nuk jam edhe aq pessimist.
Por në të njejtën kohë, nëse shikoni parandalimin ushtarake, ne duhet të bëjmë çmos që të funksionojë nesër”, tha ai.
/abcnews.al