GJKKO ka dënuar me 127 vite burg 5 nga të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë. Ernejt Shyti që qëlloi për vdekje Sofinë dhe bashkëpunoi me prokurorinë për të zbardhur ngjarjen u dënua me 7 vite heqje lirie. 4 të tjerët, Skënder Vathi, Bujar Leza, Leonard Xhixha e Xhuljano Visha u dënuan me nga 30 vite burg.
Procesi për Jemin Sherrën që dyshohet si porositës për vrasjen e Sofisë është veçuar për shkak se rezulton ende në kërkim. Behar Sofia u ekzekutua në shkurt 2021 pranë Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para dhe e ka qëlluar.
I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit. Sofia ishte një emër i njohur për policinë pasi rezultonte i përfshirë në aktivitete të drogës.
Ai u arrestua së bashku me Abdulselam Turgut disa vite më parë për trafikun e dhjetëra kilogramëve drogë nga Turqia në Shqipëri. Në gusht të vitit 2009-ës, Behar Sofia ka qenë një ndër emrat e përfshirë në ngjarjen e Durrësit ku u vranë katër policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin./abcnews.al