Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se megaoperacioni anti-drogë i koduar “Tempulli”, ka treguar një ngritje të punës profesionale nga ana e policisë.
Në një intervist për “Ora e Fundit” në ABC News, Softa u shpreh se që ky operacion të jetë më i suksesshëm, duhet që hetimet të shtrihen deri te financuesit e drogës dhe të grupet e mëdha të trafikimit.
“Nga një anë, tregon se puna e policisë për të goditur paligjshmërinë, është ajo që deklaroi ministri i Brendshëm, që operacionet do të vazhdojnë në të gjithë territorin. Fakti që kemi më shumë persona të ndaluar, sasia e drogës apo hetimeve është në rritje, tregon që është një aktivitet kriminal që shtrihet në të gjithë vendin. Së pari, tregon për një ngritje të punës profesionale, një ngritje të punës së policisë, por të gjitha këto operacione policie, që të jenë më të suksesshme, duhet të shtrijnë hetimet e tyre deri te personat që janë financuesit dhe janë grupet e mëdha të trafikimit të lëndëve narkotike.
Këtu kemi një operacion që ka hetime të shtrira në 3 muaj, por duhet të ketë hetime të shtrira më gjatë. Nëse do të mbetemi në këto nivele, nuk do të godasim aty ku është forca dhe organizimi i tyre”, theksoi ai./abcnews.al