“Nuk po luanim për të fituar”, Tuchel i revoltuar me “Bavarezët”: Humbja përgjegjësi e jona

schedule13:56 - 22 Janar, 2024

schedule 13:56 - 22 Janar, 2024

“Bavarezët” e Bayern Munich zhgënjyen jo pak fundjavën, që sapo lamë pas, teksa në “Allianz Arena” u mposhtën me rezultatin minimal, 0 me 1, nga “Jeshilët” e Ëerder Bremen, duke i dhënë kështu mundësinë “Aspirinave” të Bayer Leverkusen, të shkëputen me plot 7 pikë në vendin e parë, pavarësisht se “Të Kuqtë” e Mynihut kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Humbja ka nervozuar jo pak tifozët e “gjigantëve” të futbollit gjerman, mirëpo jo vetëm, pasi tepër i irrituar u duk të ishte edhe tekniku, Thomas Tuchel, i cili në deklaratën e tij për mediat, pas përfundimit të ndeshjes ka shpërthyer në kritika kundër skuadrës së tij, teksa theksoi se për rreth 70 minuta “Bavarezët” nuk bënë asgjë në fushën e blertë.

“Kjo humbje është totalisht përgjegjësi e jona. Për plot 70 minuta e pata ndjesinë se nuk po luanim për të fituar ndeshjen, e bëmë këtë vetëm për 20 minuta dhe aq nuk është e mjaftueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë me lojtarët e një klubi si Bayern Munich.

Kur nënshkruan për Bayern, do të thotë që çdo ndeshje ta luash me 100 kilometra në orë. Ky nivel i dedikimit është për lojtarët dhe për trajnerin gjithashtu. Pashë që në fushë luanim sikur jemi 10 pikë para, duhet të bëjmë më mirë”,- u shpreh tepër i revoltuar “strategu” i pankinës, i cili tashmë duhet të mendojë për skema të reja në fushën e blertë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!