Sulmet me raketa në Siri, Liban, Irak dhe Jemen të shtunën kthyen vëmendjen tek rreziku në rritje i përhapjes së konfliktit Hamas-Izrael në Rripin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale mes Iranit dhe Izraelit, që rrit gjasat për përfshirje edhe të Shteteve të Bashkuara.
Irani tha se pesë anëtarë të Gardës së tij Revolucionare u vranë në një sulm me raketa në një ndërtesë në Damask, për të cilin e fajësoi Izraelin dhe burime të sigurisë në Liban thanë se një sulm izraelit atje shkaktoi vrasjen e një anëtari të Hezbollahut.
Më vonë të shtunën, një zyrtar amerikan tha se nga një sulm me raketë u plagos një anëtar i personelit ushtarak në një bazë amerikane në Irak, një vend në të cilin grupet e mbështetura nga Irani më parë kanë luftuar kundër forcave amerikane.
Konflikti në Rripin e Gazës filloi më 7 tetor pasi Hamasi kreu një sulm në Izrael, duke vrarë mbi 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer më shumë 250 të tjerë.
Hamasi është pjesë e “Boshtit të Rezistencës”, një aleancë rajonale ku përfshihet edhe grupi Hezbollah nga Libani, qeveria siriane e Presidentit Bashar al-Assad, grupe shiite në Irak dhe grupi Houthi, që kontrollon shumicën e territorit në Jemen.
Bombardimet intensive të Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, të cilat sipas zyrtarëve të shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi kanë shkaktuar vrasjen e të paktën 25 mijë palestinezëve, shkaktuan shumë shpejt fillimin e përleshjeve ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbullahut.
Gjatë tre muajve të fundit Izraeli vazhdimisht ka vënë në shënjestër objektiva iraniane në Siri, ndërsa grupet e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak kanë hapur zjarr ndaj forcave amerikane në ato vende.
Përveç Rripit të Gazës, skenë e luftimeve me pasoja më të gjera ndërkombëtare ka qenë edhe Deti i Kuq, ku rebelët e grupit Houthi, që Shtetet e Bashkuara këtë javë e rikthyen në listën e organizatave terroriste, kanë sulmuar me raketa anijet e transportit të mallrave. Sulmet i kanë dhënë një goditje tregtisë globale, duke detyruar kompanitë e eksportit të mallrave të shmangin rrugën e rëndësishme detare në Detin e Kuq.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë sulmuar objektiva të rebelëve Houthi në Jemen javën e fundit.
Burime rajonale dhe iraniane thonë se Irani dhe Hezbollahu kanë personel në Jemen, që po ndihmon në sulmet ndaj anijeve të mallrave, megjithëse zyrtarët e grupit Houthi e kanë mohuar këtë./VOA