Shqipëria ka ndaluar importin e derrave, pulave dhe nënprodukteve të tyre nga disa vende të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Shkak është bërë përhapja e murtajës afrikane dhe gripit të shpendëve. Dy sëmundje virale shumë ngjitëse që sjellin ngordhjen e derrave dhe pulave.
Profesori i sëmundjeve Infektive në Universitetin Bujqësor të Tiranës Xhelil Koleci shpjegon çfarë ndodh tek njerëzit.
“Murtaja afrikane e derrave nuk e prek njeriun. Gripi i shpendëve është sëmundje që kalon edhe tek njerëzit, por nuk është sëmundje që ka një normë të lartë transmetimi. Gatimi i mirë i mishit e shkatërron dhe e bën të padëmshëm virusin edhe nëse është, megjithatë të dyja kanë karakter të shpejtë ose akut dhe mishi nëse janë të sëmura nuk arrijë të hyjë në treg sepse kafshët ngordhin”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë në vendin tonë aktualisht nuk është shfaqur asnjë rast i këtyre sëmundjeve.
Ndërkohë specialistët shpjegojnë se viruset mund të përhapen edhe përmes derrave apo shpendëve të egër dhe i bëjnë thirrje fermerëve të tregohen vigjilentë dhe të respektojnë rregullat e sigurisë.
“Nëse shikojnë diçka të pazakontë në fermën e tyre, ngordhje të menjëhershme hemorragjike të pashpjegueshme duhet të njoftojnë shërbimin veterinari.
Personi që hy e del në fermë të mos ketë akses në ferma të tjera dhe gjatë hyrjes e daljes të përdorin vaska dezinfektimi, veshje tipike për të punuar në fermë.
Një njeri gjatë kontaminimit të veshjeve të tij është në gjendje të transmetojnë sëmundjen nga një zonë e infektuar në një të painfektuar, rruga kryesore përmes derrit por gjithçka që ne e quajmë fomite. Mishi vetë është burim infeksioni, por dhe gjithçka që del nga kafshët e sëmura. Madje ky virus duron dhe kalbëzimin”
Sëmundjet kanë efekte shkatërruese për kafshët, shpendët dhe ekonominë.
Situata epidemiologjike sipas Ministrisë së Bujqësisë monitorohet çdo ditë dhe sipas rastit përgatiten urdhrat e bllokimit nga vende ku është shfaqur murtaja afrikane e derrave dhe influence aviare.
Urdhrat kanë efekt të përkohshëm. Me marrjen e masave për çrrënjosjen e sëmundjeve nga këto vende dhe mbylljen e vatrës në sistemin e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve ato shfuqizohen.