Ministri i Punëve të Jashtme është pritur këtë të enjte nga homologu malazez Filip Ivanović. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Hasani ka vlerësuar marrëdhëiet mes dy vendeve, duke prezantuar dhe prioritet e përbashkëta.
Sipas ministrit shqiptar, një nga projektet më të rëndësishme ai i lumit Buna, ndërtimi Urës i shërben integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave.
“Mali i Zi është për Shqipërinë një partner me një rëndësi të veçantë. Një vend, marrëdhëniet me të cilin janë një model i fqinjësisë së mirë dhe i bashkëpunimit. Shqipëria e konsideron Malin e Zi një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe në të gjithë procesin e anëtarësimit në BE.
Kam kënaqësinë i nderuar Ministër, të konstatoj që bashkëpunimi mes dy vendeve tona, sidomos gjatë viteve të fundit ka shënuar një progres të dukshëm. Dialogu politik është intensifikuar dhe kontributi ynë për paqen, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të rajonit ka ardhur duke u shtuar. Jam besimplotë që ky bashkëpunim do të vijojë dhe me qeverinë tuaj.
Me kolegun Ivanoviç ne patëm mundësinë të bisedojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive. E kam fjalën këtu për marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së këtyre zonave, të transportit rrugor, ujor e hekurudhor, me fokus përfshirjen në korridoret evropiane.
Përtej këtyre projekteve, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar vlerësoj angazhimin e dy qeverive tona për aplikime të përbashkëta për fondet e Bashkimit Europian për përmirësimin e ndërlidhjes, akseve të ndryshme rrugore, bashkëpunimit shkencor, kulturor, arsimor si dhe në shumë fusha të tjera.
Një nga projektet më të rëndësishme, siç e përmëndi dhe ministri Ivanović është padyshim ndërtimi i urës mbi lumin Buna, një projekt që do të nxisë perspektivën e zhvillimit në të dy vendet tona dhe do t’i shërbejë integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave.
Po tek infrastruktura, vendet tona mbeten të angazhuara për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane, e cila duhet të mbetet një nga prioritetet tona strategjike, sepse lidh Europën Qendrore me bregdetin Adriatiko-Jonian duke sjellë kësisoj një transformim të perspektivës ekonomike të mbarë rajonit.
Një vend të posaçëm i kushtuam rolit të çmuar që luajnë shqiptarët në Malin e Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri, si elementë përbashkues të një pasuri për shoqëritë tona. Me miratimin e Ligjit për Minoritetet, Shqipëria i ka dhënë minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon.
Siç mund ta dini në fund të vitit 2023, Shqipëria e kaloi me sukses provën e saj dhe është gati të bëj konferencën e dytë ndërqeveritare me vendet e rajonit. Mali i Zi është një nga vendet që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”, tha ndër të tjera Hasani./abcnews.al