Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, është optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Osmani theksoi gjithashtu se marrëveshja finale me Serbinë nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, Vjosa Osmani, theksoi se të dy partitë kanë shprehur vullnet të mirë që të negociojnë për një koalicion qeverisës dhe puna dhe kontaktet midis LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk janë ndërprerë në asnjë moment.
Osmani tha se ka patur takime zyrtare dhe jo-zyrtare ndërkohë që takimet midis grupeve punuese që po merren me harmonizimin e programit qeverisës po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër për të diskutuar për ministritë dhe funksionimin e tyre. Osmani pohoi në një intervistë për Evropën e Lirë se dy partitë kanë deri diku dallime edhe tek politika e jashtme.
“Një nga temat e radhës, për të cilën duhet të kemi një harmonizim 100 për qind është fusha e politikës së jashtme dhe besoj që pas këtij takimi të mërkurën, ne do të dakordohemi me Vetëvendosjen për një takim të radhës ku edhe do të diskutojmë, siç e thash, për këtë fushë ku kryesisht fokusi do të jetë te dialogu Kosovë-Serbi”.
Zyrtarja e LDK-së tha se natyrisht dallimet midis dy partive ekzistojnë, por nuk janë aq të mëdha sa do të mund ta pengonin një koalicion të ardhshëm. Vjosa Osmani theksoi se asnjë marrëveshje e mirë për Kosovën nuk do të mund të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe natyrisht edhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç është Gjermania.
“Prandaj, do të jetë detyrë tejet e rëndësishme që të rindërtojë urat, që fatkeqësisht janë dëmtuar gjatë qeverisjes së kaluar, që të rikrijojë një partneritet mirëbesimi me këto shtete dhe të harmonizojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Për ne është esenciale që të kemi aleatë në këtë proces sepse nuk mund të kemi sukses pa aleatë. Ne mund t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit këtu në Kosovë, mirëpo përfundimisht marrëveshja që do të arrihet në Bruksel duhet ta ketë edhe bekimin e miqve tanë shpëtimtarë.”
Zonja Osmani theksoi se nuk ka qenë kurrë kërkesë e Shteteve të Bashkuara që tema e kufijve të jetë në tavolinë, por kësaj radhe është më e theksuar që kjo çështje nuk do të kërkohet në asnjë mënyrë nga ana e Amerikës, Gjermanisë jo se jo.
Ajo nënvizoi se dialogu duhet të rikthehet në binarët e tij fillestarë sepse kur pati filluar në vitin 2010, qëllimi ka qenë që marrëveshjet të jenë të tilla që prekin jetën e qytetarëve, për të mirë natyrisht, marrëveshje praktike që eliminojnë barriera, që integrojnë qytetarët, por mbi të gjitha që përfitimi i të dyja palëve do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.
Osmani theksoi se ajo çka Serbia do të përfitojë është ajo çka ka qenë plani që nga fillimi, pra integrimi në Bashkimin Evropian dhe nuk ka përfitim më të madh për Serbinë, për një shtet që ka shkaktuar të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, që ka shkaktuar qindra mijëra viktima në ish-Jugosllavi, që ende s’ka kërkuar falje dhe vazhdon politikën e mohimit të këtyre krimeve./ABC News Albania