Mijëra fermerë “paralizojnë” Berlinin me traktorë e kamionë

schedule14:41 - 15 Janar, 2024

schedule 14:41 - 15 Janar, 2024

Berlini është shndërruar në qendrën e protestave të fermerëve nga e gjithë Gjermania kundër planit të qeverisë Scholz për të shkurtuar paketat e subvencionimeve për naftën.

Pasi prej disa ditësh kanë shprehur revoltën e tyre duke bllokuar hyrjet e autostradave dhe ngadalësuar trafikun në të gjithë Gjermaninë, 10.000 fermerë, me mjetet e tyre bujqësore e nisën javën duke bllokuar simbolin e kryeqytetit, “Portën e Brandenburgut”.

Sipas gazetës “Bild”, 1300 policë janë vendosur në rrugët e kryeqytetit duke mbikëqyrur demonstratën e fermerëve.

“Më shumë se 5000 automjete erdhën sot në kryeqytet për këtë qëllim”, tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se është ende herët për të dhënë informacion më të saktë për numrin e pjesëmarrësve në demonstratë.

Kërkesat e fermerëve mbeten të qarta: vazhdimi i plotë i subvencionimit për naftën, të cilin ata e konsiderojnë vendimtar për sektorin prodhues, por edhe mbështetje më e gjerë për sektorin e bujqësisë, i cili vitet e fundit është prekur fuqishëm nga konkurrenca e pandershme nga jashtë dhe pasojat më të gjera të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!