Gjyqi ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerajt, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullaut e Indrit Rusit për vrasjet e vitit 2005 të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ka shkaktuar debate të forta mbi ekspertizën psiko-ligjore të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi.
Në seancën e kësaj të hëne paraqiten si dëshmitare dy ekspertet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK.
Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertet në fjalë përcaktuan se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.
Avokatët e të pandehurve debatuan ashpër me mjeket, duke u kujtuar se për bashkëpunëtorin ka pasur një tjetër akt ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.
Në këtë kontekst, ata kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë:
“Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?”
Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë.
Më pas fjalën e mori Emiljano Shullazi, duke iu thënë dy ekspertëve:
“Si ka mundësi ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve:
“A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”
Mjekia iu përgjigj po.
Rusi i tha:
“Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet.”
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë./abcnews.al