Donald Tusk dhe Jean Claude Junker prezantuan raportet e fundit para PE

schedule14:00 - 22 Tetor, 2019

schedule 14:00 - 22 Tetor, 2019

Presidenti i Keshillit Evropian Donald Tusk dhe ai i Komisionit, Jean-Claude Juncker folën në raportet e tyre të fundit lidhur me çështjen e negociatave të anëtaresimit të BEsë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Tusk tha se mos-hapja e negociatave ishte gabim ndërsa Juncker theksoi se ky ishte një gabim i rëndë që shigjeton zemrën e këtyre dy vendeve.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker kanë prezantuar raportet e  fundit para Parlamentit Europian para përfundimit të mandatit të tyre. Këto raporte janë përqendruar mbi rezultatet e samitit tê liderëve evropianë të mbajtur në 17 dhe 18 tetor në Bruksel, ku bënte pjesë edhe çështja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë:

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian:

Më në fund, udhëheqësit zhvilluan një debat të vështirë për zgjerimin. Pas rekomandimit të qartë nga Komisioni, një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare dëshironin të hapnin bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përkundër kësaj, javën e kaluar nuk u arrit unanimiteti i kërkuar. Sipas mendimit tim, ky ishte një gabim, të cilin ua kam thënë liderëve europianë në mënyrë pak më të drejtpërdrejtë. Tani mund të shpresoj vetëm që liderët europianë të nxjerrin përfundimet e duhura, kur diskutojnë procesin e negociatave të anëtarësimit përpara samitit të Zagrebit në maj të vitit 2020″.

Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian:

Jam shumê i zhgënjyer me vendimin apo mungesën e vendimit për zgjerimin. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kishin të drejtë të prisnin që t’u hapeshin negociatat pas përpjekjeve të mëdha që kishin bërë. Është një gabim i rëndë që nuk hapëm negociatat me këto dy vende. Është një gabim i rëndë, sepse kjo shigjeton zemrën e dy vendeve. Dhe  është një gabim i rêndë sepse nëse Bashkimi Europian jep përshtypjen që bën premtime dhe nuk i mban, asnjë nuk do ta respektojë në botë”.

Kryetarët e grupimeve politike në Parlamentin Europian kanë shprehur keqardhjen që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë hapur.  Ndërkohë, që reformimi i politikës së zgjerimit pranohet nga shumica e tyre.

Manfred Weber, kryetari i EPP-së:

“Ne kemi kërkuar shumë nga këto vende. Maqedonisë së Veriut iu desh tê ndryshonte emrin e saj për integrimin europian dhe vendi bêri shumê sakrifica për këtë. Dhe tani, iu përplasëm derën në fytyrë. Ne po humbim kredibilitetin tonë dhe kjo është çështje serioze dhe Kêshilli Europian si dhe shtete anëtare mbajnë përgjegjësi për këtë. Unë jam dakord me rishikimin e kapitujve të negociatave tê zgjerimit dhe t’i shtrojmë pyetjen vetes nëse mund ta menaxhojmë zgjerimin ndryshe në tê ardhmen, por ne duhet t’i kishim informuar për këtë paraprakisht edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne po imagjinojmë gjëra që nuk lidhen drejtpërdrejt me njëra tjetrën“.

Nga ana tjetër, të gjithë liderët e djathtë dhanë mbështetje për të dyja vendet, ndërkohë që ishte Emanuel Macron dhe Mark Rutte që kundërshtuan hapjen e negociatave.

Iratxe Garcia Perez , kryetare e PSE:

“Bashkimi Europian humb kredibilitetin e saj kur vendos reformat e integrimit dhe më pasi  le këto vende pas derës duke pritur kur i përmbushin reformat. Për këtë gjë, ne mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sigurisht që ka shumë punë tê bërë dhe negociatat e anëtarësimit janë një rrugë e gjatë, por kulmimi i tij duhet të mbaroj me anëtarësimin e Bashkimit Evropian. Zgjerimi me Ballkanin ndikon në stabilitetin e rajonit, por edhe në interesin e  BE-së“.

Dacian Ciolos, kryetar i Reneë:

“Politika e zgjerimit duhet të jetê në zemër të BE-së. Nuk mund tê imagjinojmë një Europë të fortë pa hapur portat për fqinjët tanë dhe që besojnë te Europa më shumê se disa vende që janë anëtarë tê BE-së. Nuk mund t’ju kërkojmë këtyre vendeve reforma, pa iu dhënë njê ide tê qartê tê perspektivês së tyre europiane. Kuptoj shqetësime dhe vullnetin për të thelluar Bashkimin Europian dhe për tê reformuar institucionet europiane dhe ndaj mbështesim konferencën për të ardhmen e Europës. Por kjo nuk duhet të ndikojë të vazhdimi i procesit të zgjerimit”.

Phillipe Lamberts, kryetari i të gjelbërve:

“Nuk është as në interesin e këtyre vendeve as nê interesin e qytetarëve tanë që t’i lenë këto vende të rrëshqasin jashtë zonës dhe parimeve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Vokacioni i tyre për t’u anëtarësuar nê BE është i padiskutueshëm. Mosmarrja e vendimit të Këshillit Europian është një gabim”.

Parlamenti Europian do tê diskutojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sërish nesër./abcnews.al