Cameron paralajmëron rebelët Houthi: Jemi të vendosur t’i japim fund sulmeve

schedule15:08 - 14 Janar, 2024

schedule 15:08 - 14 Janar, 2024

Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të marrë masa sërish kundër rebelëve Houthi në Jemen nëse vazhdojnë sulmet ndaj anijeve ushtarake dhe tregtare në Detin e Kuq, paralajmëroi sot Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.

“Ne kemi dërguar një mesazh të qartë: veprimet e Houthi janë të dënueshme dhe ne jemi të vendosur t’u japim fund atyre.

Ne gjithmonë do të mbrojmë lirinë e lundrimit. Dhe mbi të gjitha jemi të gatshëm që fjalët tona të zbatohen”, tha ai.

Kreu i diplomacisë britanike tha gjithashtu se hapja e rrugëve detare është një interes kombëtar jetik, pasi ekziston rreziku që çmimet të rriten në Britani dhe në mbarë botën.

Komenti i tij i bën jehonë atij të presidentit amerikan Joe Biden, i cili paralajmëroi se “nuk do të hezitonte” të urdhëronte masa të mëtejshme nëse është e nevojshme për të mbrojtur tregtinë ndërkombëtare.

Ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon në Rripin e Gazës, tensionet janë rritur muajt e fundit në Detin e Kuq me sulmet e Houthi-ve që synojnë trafikun detar në solidaritet me palestinezët.

Të premten herët në mëngjes, sulmet ajrore amerikane dhe britanike shënjestruan bazat ushtarake të rebelëve të mbështetur nga Irani, të cilët kontrollojnë zona të mëdha të Jemenit, duke rritur frikën për një përshkallëzim rajonal të konfliktit në Gaza.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!