Projekt për 100 fusha, FSHF ia kalon topin qeverisë

schedule08:11 - 22 Tetor, 2019

schedule 08:11 - 22 Tetor, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë kërkesë zyrtare qeverisë për të bashkëpunuar në ndërtimin e 100 fushave të përmasave të plota. Shqetësimi është I madh sidomos për gjendjen e infrastrukturës në kryeqytet.

Vëmendja ka qenë te kombëtarja apo tek Superiorja, por është edhe diçka tjetër e rëndësishme, madje më shumë. Flitet për infrastrukturën, diçka për të cilën futbolli ynë është në krizë, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit po përpiqet të zyrtarizojë një projekt të madh.

Bëhet fjalë për 100 fusha me përmasa të rregullta e të plota, që janë në plan për t’u ndërtuar në të gjithë vendin, projekt që i është dërguar zyrtarisht qeverisë shqiptare. Burime në Federatë bëjnë me dijë se në kryeministri është përcjellë projekti dhe kërkesa për bashkëpunim.

Propozimi është për të ndarë kostot financiare në mënyrë të barabartë, ndërsa fatura në total mund të shkojë në 30 milionë euro. Natyrisht, do të duhet bashkëpunimi edhe me pushtetin vendor, konkretisht me bashkitë, për të ndërtuar infrastrukturë në Tiranë dhe në rrethe.

Shqetësimi është i madh sidomos në kryeqytet, ku hapësirat e lira janë pakësuar ndjeshëm. Burimet në Federatë tregojnë se synohet të bëhen funksionale fushat tek Aneksi i stadiumit “Selman Stërmasi”, si dhe ato tek Qyteti Studenti, por deri tani nuk ka përgjigje pozitive nga autoritetet vendore.

Ekziston rreziku që të ketë projekte për ndërtime edhe në fushat e mbetura brenda kryeqytetit. Tendenca e këtyre viteve është që të ndërtohen komplekse jashtë Tiranës, por ato mbërrihen me vështirësi nga fëmijët për shkak të trafikut të rënduar. /ABC NEWS 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!