Vjen gripi agresiv/ Alarmi i mjekëve: Ka komplikacione me pasoja në mushkëri

schedule19:34 - 10 Janar, 2024

schedule 19:34 - 10 Janar, 2024

Pas festave në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është dyfishuar numri i urgjencave mjekësore. Janë të rinj e të moshuar që shfaqin probleme të shkaktuara nga viruse që prekin rrugët e frymëmarrjes, mes tyre Covid dhe grip.

Ndonëse në fillim të sëmundjes kanë shenja të ngjashme pas testeve mjekët thonë se vërejnë dominim të gripit

“Ka një fluks të shtuar sidomos me rastet e paraqitura në urgjencë. Rastet me viroza respiratore mund të paraqiten mesatarisht 80-100 në ditë përmes të cilave identifikohet dhe grip ka dhe raste, por më të pakta kryesisht të referuara nga shërbime të tjera dhe me prezencë të Covid”, tha Esmeralda Meta, mjeke në shërbimin Infektiv në QSUT.

Të prekurit nga Covid në Shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë janë pacientë që vuajnë dhe nga sëmundje të tjera. Sa i përket gripit mjekët thonë se po shfaqet më agresiv se një vit më parë. Tek disa persona shoqërohet dhe me komplikacione.

“Covid është i pranishëm tek pacientë që ne kemi me patologji të tjera shoqëruese, në mosha më të mëdha. Ndërsa gripi duket që është me një simptomatikë më të moderuar, severe krahasuar me një vit më parë. Ka komplikacione pulmonare, paraqitet me temperaturë më persistente që kërkojnë kohë për të rënë, lodhje, pneumoni dhe fillim të insuficencave respitarore.”, shtoi mjekja.

Vaksinimi sipas mjekëve është forma më e mirë për tu mbrojtur si nga gripi dhe nga covid-i. Në këtë periudhë me fluks të shtuar virozash në qarkullim specialistët gjithashtu i bëjnë thirrje kryesisht të sëmurëve kronikë dhe të moshuarve të shmangin vendet me shumë njerëz dhe të përdorin maskat në qendra shëndetësore apo spitale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!