Cameron: Duhet të shprehim zhgënjim me sjelljen e qeverisë serbe

schedule21:30 - 9 Janar, 2024

schedule 21:30 - 9 Janar, 2024

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se duhet të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik, Cameron tha se për shkak të sulmit në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator, ai qëndroi në Prishtinë më 4 janar, për të parë nga afër situatën, shkruan REL.

Në shtator, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues. Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Ne duhet të shprehim zhgënjimin në rritje lidhur me sjelljen e Qeverisë serbe. Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar mendim që t’i japim shans Serbisë për integrim euroatlantik. Por, mendoj se ka frustrim për këtë sjellje të tyre dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, tha Cameron.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!