Analisti Artur Zheji thotë se me thirrjen e Gazment Bardhit drejtuar Lulzim Bashës për bashkim të opozitës, u la të kuptohet se Bardhi, nuk është njeri revolucionar, nuk është kundër Berishës dhe se do të jetë grupimi i tretë në Partinë Demokratike.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Zheji u shpreh se Bardhi jeton në një konfuzion politik.
“Unë kuptova një gjë, tre gjëra të tjera që ai nuk i tha. Kuptova që nuk ka revolucion dhe Bardhi nuk është revolucionar. Kuptova që ai nuk është me Berishën, por nuk është kundër Berishës, pra është me kokë të vet, do të jetë pjesa e tretë e Partisë Demokratike. PD e Argitës, PD e Gaz Bardhit dhe PD e Lulzim Bashës dhe kuptova që ai vetë jeton në një konfuzion politik, thotë që po pres Bashën të bëjë opozitarizëm. Nëse janë këto akte opozitarizimi, që tronditën nga themelet dhe trembën Edi Ramën, mendoj se jemi në një anekdotë pranë zjarrit shumë të këndshëm. Nuk po flasim për një gjë tronditëse që buroi nga komunikimi publik i zotit Bardhi”, theksoi ai.
Ndërsa, analisti Frrok Çupi deklaroi se mesazhi i Bardhit, u përcoll si të ishte një korrier i Sali Berishës.
Sipas Çupit, mesazhet e Gazment Bardhit dhe Luçiano Boçit, drejtuar Lulzim Bashës, konfirmojnë vdekjen politike të Sali Berishës.
“Besoj se mesazhi i Bardhit ishte një fjalë, ose një korrier i Berishës. Ai vjen tek PD që është një, e Lulzim Bashës, vjen me një hap pak më përpara se ky që rri te Berisha gjithë kohës, Luçiano. Bëri një hap përpara tij, pas Bardhit, edhe ai ishte në të njëjtën linjë. Ai fillimisht nisi ftesë, por në rrethanat ku jemi, kthehet në një provokim. Demokratët shikojnë se fundi i Berishës erdhi. Konfirmojnë vdekjen politike të Berishës. Unë besoj se e gjithë pjesa provokuese ndaj presidentit dhe Lulzim Bashës është e stilit të Berishës. Berisha e di ku është, që nuk kthehet më mbrapa, tenton ta marrë Partinë Dermokratike me vete, ai do patjetër të krijojë konflikt brenda Partisë Demokratike. Konfilkti ka nisur. Duke lënë konflikt brenda Partisë Demokratike, do thotë aty e gjeta, aty e lashë”, shtoi ai./abcnews.al