Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Koresë së Veriut të ndalojë veprimet e saj “destabilizuese” dhe të rifillojë diplomacinë pasi Pheniani gjuajti qindra predha në Detin e Verdhë pranë ishujve të largët të Koresë së Jugut.
“Ne i bëjmë thirrje Republikës Popullore Demokratike të Koresë që të përmbahet nga çdo provokim i mëtejshëm, veprime destabilizuese dhe të rifillojë diplomacinë”, tha zëdhënësi i DASH, Matthew Miller.
“Ne i kërkojmë në mënyrë specifike DPRK-së të angazhohet në diskutime kuptimplota për të gjetur mënyra për të menaxhuar rreziqet ushtarake dhe për të arritur paqen e qëndrueshme në Gadishullin Korean”, shtoi ai.
“Siç e kemi përsëritur shumë herë, SHBA nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Koresë së Veriut”, nënvizoi ai.
Pheniani tha se lëshimi i raketës së tij pranë dy ishujve të Koresë së Jugut ishte “një përgjigje e natyrshme dhe një kundërmasë ” ndaj stërvitjeve ushtarake të kryera nga Seuli, njoftoi agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut.
SHBA është një aleat i Koresë së Jugut ku trupat e saj janë të vendosura atje. Koreja e Veriut ka refuzuar vazhdimisht ofertat për të mbajtur dialogun me administratën e Joe Biden.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut takoi ish-presidentin Donald Trump tre herë, por takime që nuk rezultuan në një marrëveshje të zbatueshme./abcnews.al