Nga Messi te Messinho, Barça në ndjekje të një tjetër talenti brazilian

schedule18:36 - 5 Janar, 2024

schedule 18:36 - 5 Janar, 2024

Pas brazilianit, Endrick, i cili verën e ardhshme do të transferohet te Real Madrid, Palmeiras është gati të zbulojë dhe t’i dhurojë Evropës një tjetër “xhevahir”. Bëhet fjalë për 16-vjeçarin Estevao Willian Almeida de Oliveira Goncalves, ose shkurt Messinho, i cili këtë sezon debutoi më ekipin e parë të Palmeiras teksa u aktivizua për 13 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Cruzeiro.

Të dhënat e sulmuesit janë të shkëlqyera dhe jo më kot për të është gati të bëjnë çmenduri klubet më të mëdha europiane, teksa pas “fantazistist” janë vënë Real Madrid, Paris Saint-Germain, Manchester City, Manchester United, Arsenal dhe Chelsea, mirëpo “ylli” në rritje dëshiron vetëm ngjyrat “Blaugrana”.

Ndoshta edhe për ngjashmëritë për nga emri me “pleshtin”, Lionel Messi, 16-vjeçari ëndërron të bëjë karrierë në Katalonjë dhe në të ardhmen të sfidojë pikërisht mikun e tij Endrick që do të jetë pjesë e Real Madrid.

Aktualisht, kartoni i sulmuesit kushton 60 milionë euro, një shifër që Barcelona vështirë se e përballon, megjithatë, “katalanasit” do të mbajnë një takim me agjentin e futbollistit të talentuar për të qenë në “Pole Position” në garën për Messinho.

Ky i fundit nuk mund të transferohet në Europë para vitit 2025 atëherë kur do të mbushë edhe 18-vjeç, megjithatë gara është e hapur dhe për ta pasur në skuadër Messinho-n, duhet prenotuar që në këtë moment. Barcelona ka një avantazh pasi agjenti i Messinhos, Cury është aktualisht në Spanjë pasi ishte pjesë e negociatave edhe për kalimin e Vitor Roques nga Athletic Paranaense te “Blaugranat”. /i.m /abcnews.al