U ekstradua nga Franca, Apeli i GJKKO-së lë në burg Behar Bajrin

schedule10:50 - 4 Janar, 2024

schedule 10:50 - 4 Janar, 2024

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Behar Bajrin, i cili akuzohet për një sërë veprash të rënda penale. 43 vjeçari u ekstradua në Nëntor nga Franca drejt Shqipërisë pas arrestimit të tij në një lokal në Paris në muajin Shtator.

Në vitin 2021, shteti francez i refuzoi azilin Bajrit. 43 vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dosjes ‘Metamorfoza’. Hetimet nisën në 2019-ën pasi autoritetet belge dhe holandeze siguruan komunikime në aplikacionet e përdorura nga elementët kriminalë “Enchro Chat” dhe “SKY”.

Nga hetimet rezultoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka, tashmë i arrestuar, kishte kërkuar nga Behar Bajri që të kryente vrasjen e Kleanthi Musabelli, një ish-punonjës i policisë së burgjeve. Në dosje u zbulua gjithashtu se si Bajri kishte bashkëpunuar edhe me Ervis Martinajn.

Referuar dosjes hetimore, Behar Bajri dhe Denis Borrici ekzekutuan Gjin Boriçin me porosi të Martinajt, dhe ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun vrasje e cila nuk u realizua pasi shënjestra kuptoi planin. Bajri akuzohet edhe për sigurim të kushteve për të vrarë, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.

Si pjesë e dosjes Metamorfoza u arrestuan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe kreu i Forcave Operacionale, Oltion Bitri nddërsa u zbardhën vrasje e tentativa vrasjesh në Shkodër e Tiranë./abcnews.al