Investimet e huaja/ Ekspertja: Klima e biznesit është përmirësuar, sektorët ku duhet të përqendrohemi

schedule14:50 - 26 Dhjetor, 2023

schedule 14:50 - 26 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI- Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë fluksi i investimeve për tremujorin e tretë ka shënuar nivel prej 404 milionë eurosh.

Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja rezulton me 17%, ose thuasje 60 milionë euro më shumë  në 9 muaj investimet e huaja direkte arritën në 1.1 miliardë euro ose 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo shifër është thuajse më e larta e regjistruar  në një dekadë. Flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve në masën 15%, sektorin e energjetikës në masën 14%, si dhe ndërmjetësimit financiar në masën 10%.

Këto shifra u komentuan në “Money Report” nga ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj. Ajo tha se fluksi i të hyrave në euro është një tregues u rëndësishme, por tregu i pasurive të paluajtshme shtoi ajo duhet parë dhe si investim individual dhe jo domosdoshmërisht si një zë buxhetor, që kontribuon në fuqizimin e mëtejshëm të ekonomisë. Ajo shtoi se tregu i hidrokarbureve dhe energjia, duhet të shihen me interes pasi përbëjnë potencial për ekonominë tonë.

“Investimet e huaja direkte në aspektin e pasurive të paluajtshme janë individuale, të cilat kanë një fund dhe nuk mund të jenë të vazhdueshme. Kanë një zë të fuqishëm në ekonomi, por nuk e ndihmojnë më shumë ekonominë për të shkuar përpara. Por edhe zërat e tjerë, që është industria nxjerrëse dhe energjia kanë një rol të rëndësishëm”, tha  Nunaj.

Gjatë intervistës, Nunaj theksoi se edhe klima e biznesit në Shqipëri është përmirësuar dhe investitorët po e shohin me interes.

“Ka një përmirësim të klimës së biznesit, kjo e deklaruar edhe nga dhomat e tregtisë. Kjo ndikuar edhe nga dalja e Shqipërisë nga listës gri. Këto e nxisin një investitor të huaj të investojë kapitalin e tyre në Shqipëri. Sektori energjetik është dobiprurës dhe industria e nxjerrjes së minerale. Këtu duhet synohet jo vetëm nxjerrja, por edhe përpunimi i lëndëve. Edhe bujqësia ka një zë shumë të rëndësishëm në Shqipëri.”, tha ajo.

Po ashtu sektori, i cili shihet si i pashfrytëzuar është ai i turizmit. Për eksperten, Shqipëria duhet të synojë të dalë me ofertë për turizëm elitar, pasi ky target, gjeneron më shumë para dhe për pasojë rrit mirëqenien e qytetarëve.

“Turizmi shihet me interes, sepse investimet janë shtuar, ardhja e markave nuk vijnë pa pasur sigurinë. Sjellja e markës së tyre janë garantuar për një turizëm elitar. Ai turizëm ekonomik që është tashmë të kthehet në turizëm elitar dhe kjo do sillte të ardhura më të mëdha, ata do shpenzojnë më shumë dhe kjo do të rriste të ardhurat”, shtoi ajo./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!