Në Serbi janë ndezur polemika për vendimin e qeverisë për të instaluar rreth një mijë telekamera sigurie në 800 pika të ndryshme të Beogradit. Kompania kineze e cila ofron sistemin e vëzhgimit “qytete të sigurta” akuzohet se cënon privatësinë e njerëzve. Ndërsa presidenti Vuçiç akuzohet se po përdor sistemin për të frikësuar protestuesit anti-qeveritarë.
Kur qindra videokamera me aftësinë për të identifikuar dhe lokalizuar personat, u shfaqën në rrugët e Beogradit si pjesë e një projekti të gjerë vëzhgimi, disa manifestues filluan të mendoheshin dy herë para se të merrnin pjesë në protestat anti-qeveritare në kryeqytetin serb. Autoritetet vendore pohojnë se sistemi, krijuar nga shoqëria kineze e telekomunikacionit, Huawei, ndihmon në reduktimin e kriminalitetit në një qytet që numëron 2 milionë banorë. Por kritikët janë të bindur se sistemi prek liritë personale, i bën të dobët kundërshtarët politikë por dhe ekspozon qytetarët e vendit ballkanik ndaj ndërhyrjeve të qeverisë kineze.
Telekamerat, të pajisura me teknologjinë e identifikimit të fytyrave, janë instaluar në qindra qytete në të gjithë botën, në mënyrë të veçantë në vende të varfra ku ka pak respekt për të drejtat e njeriut; shtet ku Pekini ka shtuar ndikimin e tij me anë të ekonomisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se autoritetet shtetërore kineze mund të kenë akses në të dhënat e Huawei. Implementimi agresiv i këtij projekti vëzhgimi shkakton shqetësim për privatësinë e miliona personave në vende që kanë një pushtet të dobët kundërshtimi ndaj Kinës.
Ish-komisari serb për të dhënat personale, Sabiç, u shpreh se sistemi mund të përdoret për të gjurmuar anëtarë të opozitës politike në vend, të monitorojë në çdo moment njerëzit që kundërshtojnë regjimin, dhe kjo është diçka totalisht kundër ligjit. Grupe kritike ndaj presidentit serb Vuçiç pohojnë se policia dërgon video të protestave tek mediat pranë qeverisë, të cilat më pas publikojnë pamjet dhe identitetin e pjesëmarrësve.
Vetë presidenti Vuçiç deklaronte pak kohë më parë se policia ishte e aftë të numëronte çdo kokë në manifestimet anti-qeveritare. Gjatë protestave të fundit në vend, manifestuesit u ngjitën në një shtyllë dhe mbuluan një prej kamerave me një shirit ku lexohej “censure”. Policia serbe mohon çdo abuzim të sistemit Huawei, i cili përfshin një mijë telekamera në 800 zona të Beogradit. Vetë kompania kineze deklaroi se sistemi është më se i ligjshëm dhe respekton të gjitha rregullat e aplikimit, në Serbi dhe në çdo vend tjetër ku aplikohet.
Teknologjia për identifikimin e fytyrës është aplikuar në shumë vende, duke shkaktuar debate për ekuilibrin mes privatësisë dhe sigurisë. Sistemi ka tërhequr vëmendjen dhe për sa i përket akuzave sipas të cilave ligjet kineze u imponojnë sipërmarrjeve që të jenë të pranishme në punën e shërbimeve kombëtare të inteligjencës, duke u dhënë autoriteteve akses tek të dhënat. Si pasojë disa vende po shqyrtojnë dhe një herë përdorimin e kësaj teknologjie.
Kompania kineze hedh poshtë akuzat për kontrollin e qeverisë kineze dhe nuk ka pasur asnjë problem për të gjetur klientë të cilët duan të implementojnë teknologjinë “qytete të sigurta”, në mënyrë të veçantë mes vendeve që Kina ka tërhequr në orbitën e saj diplomatike dhe ekonomike. Përveç Serbisë në listë janë dhe Turqia, Rusia, Ukraina, Azerbajxhan, Angola, Laos, Kazakistan, Kenia dhe Uganda. Por dhe vende me demokraci liberale si Gjermania, Franca dhe Italia. Sistemi përdoret në rreth 230 qytete, duke ekspozuar dhjetëra milionë persona ndaj kontrollit të tij./ABC News Albania