Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka shtyrë përsëri votimin për rezolutën që kërkon qasje të shtuar humanitare në Gaza pas një dite tjetër negociatash intensive.
Sipas mediave ndërkombëtare në draftin e fundit “është hequr pika për përfundimin e menjëhershëm të luftimeve dhe në vend të saj është kërkesa për masa urgjente për të lejuar menjëherë qasjen e sigurt dhe të papenguar humanitare dhe për të krijuar kushtet për një armëpushim të qëndrueshme të luftimeve”.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se Uashingtoni ishte i gatshëm “të mbështeste draftin ashtu siç ishte shkruar”.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 390 palestinezë janë vrarë dhe 734 të tjerë janë plagosur në 48 orët e fundit ndërsa komunikimet janë ndërprerë.
Izraeli vazhdon bombardimet e tij në Gaza, me më shumë viktima të raportuara në kampin e refugjatëve në Rafah, Khan Younis dhe Nuseirat.
Të paktën 20,057 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori, sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës, ndërsa numri i viktimave nga sulmi i Hamasit në Izrael është afro 1140.
Më shumë se 576,000 palestinezë në Gaza, rreth një e katërta e popullsisë, përballen me “uri katastrofike”, zbulon një raport i mbështetur nga OKB . Ndërkaq mijëra palestinezë do të pengohen të hyjnë në xhaminë Al-Aksa, për namazin e ditës së premte.
“Çdo javë ka gaz lotsjellës dhe arsyeja pse ata po pengojnë shumicën e adhuruesve të marrin pjesë në namazin e shenjtë – ata (forcat izraelite) thonë të reduktojnë përleshjet pasi është në gjendje të jashtëzakonshme”, raportoi Al Jazeera.
Që nga 7 tetori, ka pasur një rënie dramatike të numrit të adhuruesve të lejuar brenda kompleksit të shenjtë: nga deri në 70,000 në 4,000.
/abcnews.al