“Aspirinat” të pamposhtura, Leverkusen e mbyll me “poker” ndaj Bochum vitin 2023

schedule22:28 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 22:28 - 20 Dhjetor, 2023

Janë më të mirët e momentit. “Aspirinat” e Bayer Leverkusen kanë vijuar seritë e ndeshjeve pa humbje këtë sezon, teksa mbrëmjen e kësaj të mërkure kanë mundur me rezultatin e thellë, 4 me 0, në “BayArena”, skuadrën e Bochum, në përballjen e vlefshme për javën e 16-të të kampionati gjerman të futbollit, Bundesliga, si dhe të fundit për këtë vit kalendarik.

Fitorja për djemtë e teknikut Xabi Alonso u “vulos”, që në pjesën e parë, me “bomberin” çek, Patrik Schick, i cili duket se ka lënë pas dëmtimin, që e la për një kohë të gjatë jashtë fushave, duke arritur të shënojë plot 3 gola, në minutat 30’, 32’ e 45+1’, ndërsa për të “hipotekuar” fitoren e thellë, 4 me 0 mendoi nigeriani, Victor Boniface me golin e tij në minutën e 69’-të.

Falë këtij rezultati, Bayer Leveruksen ngjitet në kuotën e 42 pikëve, duke e mbyllur si kampion dimri vitin 2023, me një diferencë prej 4 pikësh, me “Bavarezët” e Bayern Munich, të cilët ndodhen në vendin e 2-të të tabelës. Në krahun tjetër, skuadra e Bochum mbetet në vendin e 14-të të tabelës, me 16 pikë, pas 16 javëve të para të kampionatit. /i.m /abcnews.al