Medvedev ironizon BE-në për sanksionet: Faleminderit që rritët ekonominë ruse

schedule10:05 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 10:05 - 20 Dhjetor, 2023

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev ka ironizuar Bashkimin Evropian pas vendosjes së paketës së 12 të sanksioneve, duke e falenderuar unionin për rritjen e ekonomisë ruse.

“Ka hyrë në fuqi paketa e dymbëdhjetë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Ndërkohë, ekonomia evropiane po rrëshqet në mënyrë të papërmbajtshme në recesion”, shkroi Medvedev në rrjetin social X.

Sipas tij, PBB-ja e Gjermanisë ra me 0.2 për qind në tremujorin e dytë dhe 0.3 për qind në tremujorin e tretë, duke shtuar se rënie është shënuar edhe në Francë.

Medvedev thotë se “rënia e zymtë” e PBB-së së vendeve anëtare të BE-së mund të zgjasë deri në mesin e vitit 2024.

“Nga ana tjetër, PBB-ja e Rusisë u rrit me 5.5 për qind në bazë vjetore në tremujorin e tretë dhe 7.8 për qind në tremujorin e dytë. Tani është koha për të menduar për një paketë të re sanksionesh kundër vendit tonë. BE, faleminderit për rritjen e ekonomisë ruse”, tha Medvedev./abcnews.al