U kap me katër mina telekomandë në Lezhë, gjykata e liron vetëm me një vit burg 

schedule13:52 - 18 Tetor, 2019

schedule 13:52 - 18 Tetor, 2019

Gjykata e Lezhës liroi nga burgu Endrit Vejsiun, vëllain e moderatores Alketa Vejsiu, i cili u arrestua një vit më parë me 4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë lëndë narkotike.

Endrit Vejsiu u dënua me 6 vite burg për dy vepra penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vejsiu përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i shkon në 4 vite heqje lirie, të cilat sipas gjykatës ai do t’i shlyejë pjesën e mbetur të dënimit me shërbim prove për një periudhë kohore prej 5 vitesh dhe jo pas hekurave.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga Artan Hajredinaj. Endrit Vejsiu u kap në Lezhë më 30 Shtator të vitit 2018 në rrugën Milot-Lezhë. Në automjetin e tij u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë kanabis.

Nga hetimet e prokurorisë, Vejsiu rezulton se ka shërbyer si korrier i një personi tjetër, që kishte si synim të trakonte katër mina nga porti i Shëngjinit në drejtim të Italisë./ABC News Albania