Turizmi/ Vathi: Fluturimet low cost rritën numrin e turistëve, Shqipëria ofron më shumë mundësi. Kushova: Jemi larg turizmit të qëndrueshëm

schedule20:57 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 20:57 - 15 Dhjetor, 2023

Eksperti për çështjet e turizmit, Besnik Vathi, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, theksoi se fluturimet direkte low cost kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve. Ai theksoi gjithashtu se numri i të huajve është shtuar edhe për faktin se vendi ynë po ofron gjithnjë e më shumë mundësi.

“Ishin pritshmëritë më të larta se viti i kaluar. Pritej edhe me faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje që për mua janë më të brendshëm sesa thjesht ato që dëgjojmë shpesh. E para, ardhja e kompanive low cost që kanë zgjeruar tregun e fluturimeve, kanë ndërtuar ura direkte fluturimesh jo me 29 qytete në 2019 por rreth 80 qytete në Evropë dhe botë, që kanë fluturime direkte me Tiranën dhe kjo ka bërë që Shqipëria të ketë mundësi më të mëdha afërsie me këto vende. I njëjti faktor që ka bërë që edhe turistët shqiptarë të jenë më të mundshëm. Rritja e numrit të tyre nuk komentohet shpesh por shkon diku në 25 për qind më shumë se viti i kaluar. Nuk është se na kanë promovuar të tjerët më shumë në Shqipëri, dhe shqiptarët po udhëtojnë më shumë, kemi mundësi më shumë. E njëjta arsye qëndron edhe për turistët e huaj. Turistët po vijnë se kanë më shumë mundësi.”, u shpreh Vathi.

Ai shtoi se është e nevojshme që të kemi të dhëna më të plota në mënyrë që të ketë më shumë të ardhura dhe që përqindja që sjell turizmi në GDP të jetë shumë më e lartë. Sipas tij, e nevojshme është edhe pjesëmarrja në panairet ndërkombëtare për të promovuar traditat dhe kulturën e vendit.

“Pjesëmarrja nëpër panaire duhet të bëhet jo thjesht për të rritur fluksin e atyre që vijnë, por për të sjellë turistë nga ato vende që gjenerojnë turistë me të ardhura, me netë qëndrimi 4.5 që është mesatarja në Evropë, për të rritur të ardhurat në ekonominë e vendit.“, shtoi eksperti.

Ndërkohë, ekspertja për turizmin e qëndrueshëm, Eva Kushova theksoi se ende jemi shumë larg turizmit të qëndrueshëm. Ajo shtoi se nuk duhet të ketë një turizëm masiv në një periudhë të caktuar të vitit, por të punohet për të ofruar mundësi dhe paketa për të gjithë muajt.

“Jemi shumë larg turizmit të qëndrueshëm. Në çdo destinacion na mungojnë DMO-të që duhet të fillojnë, duhet patjetër që të gjithë të përfitojnë, paketat të jenë bërë të tilla që hoteli produktet t’i marë tek banorët dhe fermerët e zonës, në mënyrë që e gjithë zona të përfitojë.”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!