HEC-et në lumenj, Aleko Miho: Shqipëria me numrin më të lartë të lejeve në Ballkan

schedule10:31 - 18 Tetor, 2019

schedule 10:31 - 18 Tetor, 2019

Në “ABC-në e mëngjesit” ishte i ftuar këtë të premte profesori i njohur Aleko Miho, i cili foli për mbrojtjen e lumenjve të egër në Shqipëri. Sipas profesorit, pas moratoriumit për pyjet tashmë është koha e mbrojtjes për lumenjtë.

Miho u shpreh se një komunitet shkencëtarësh që merren me mbrojtjen e lumenjve do të takohen këtë të premte në Tiranë për të diskutuar se si mund t’i ruajnë lumenjtë, por jo vetëm, edhe impaktin e tyre në ekonomi.

Profesori tha se i takon qeverisë dhe vendimmarrjes për shfrytëzimin e kujdesshëm të pyjeve dhe lumenjve. Megjithëse rreziku kryesor ndaj lumenjve në Shqipëri janë HEC-et, Miho tha se ekspertët nuk janë kundër ndërtimit të tyre, pasi vendi ka nevojë për energji për të rimëkërmbur natyrë, por kjo duhet bërë duke respektuar edhe natyrën.

“Ne nuk jemi kudër ndërtimeve të HEC-ve. Ne kemi nevojë për energji për të rimëkëmbur ekonominë tonë dhe mund ti shfrytëzojmë ata, por kemi edhe një detyrim ndaj mbrojtjes së natyrës. Ne nuk mund të shtrihemi në ndërtim HEC-esh në të gjithë territorin e vendit. Çdo të thotë kjo. Nëse ne zonat i kemi shpallur të mbrojtura nuk mund të hyjmë atje me ndërtime. Jo me HEC-e, por me asnjë lloj ndërtimi. Është absurde të ndërtosh në Valbonë, është absurde të ndërtosh dhe të shfrytëzosh ujin e liqeneve akullnajorë për HEC-e. Është absurde që në Shebenik të japësh leje për HEC-e. Duhet të zhvillohemi, por të pranojmë mbrojtjen e natyrës si detyrim që kemi për veten tonë, por është një detyrim edhe për komunitetin evropian. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk e kemi shpikur ne. Është koncept i elaboruar sot dhe të tjerët e kurojnë me kujdes”, tha Miho.

Miho theksoi se Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit për HEC-e. 80 të tilla sipas Mihos janë dhënë për lumenj në zona të mbrojtura, ku me kriter nuk lejohet.

“Si mund të japësh 80 leje ndërtimi në zona të mbrojtura kur kriteret janë të tilla që nuk lejojnë të ndërhysh atje as me diga, as me rrugë, as me tunele, gjëra që shoqërojnë këtë. Sepse me këtë i ke dhënë dëmin të gjithë mjedisit ujor. Edhe ajo pjesë që është më e mirë e natyrës shqiptare, ajo lumore sot është e riskuar. Janë 700 leje ndërtimi për fat të keq. Nuk dua ta dëgjoj që është kaq. Është shumë  për një vend si Shqipëria, më i larti se të të gjithë vendet e Ballkanit. Dhënia e lejeve për HEC-e është një epidemi për gjithë Ballkanin, por Shqipëria është një hap përpara për sa i përket dhënies së lejeve”, u shpreh profesor Aleko Miho./abcnews.al