Samiti Ballkan-BE u solli vendeve të Ballkanit Perëndimor para dhe premtime për anëtarësim në BE. Por hapat konkrete drejt anëtarësimit munguan.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama provoi të bënte dirigjentin, teksa krerët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit po rreshtoheshin për fotografi. Disa i bëri për të qeshur, por të tjerë ishin të shpërqendruar në axhendat e tyre. Një pamje që përshtatej me gjendjen e BE-së kur është fjala për zgjerimin.
Se, ndryshe nga ç’ishin shpresat, as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk e mësuan se kur do të fillojnë kapitullin e parë të bisedimeve, as Bosnja-Hercegovina, nëse do të nisë bisedime, as Mali i Zi e Serbia se si do të vijojnë me negociatat, dhe as Kosova, se kur do t’i hiqen masat ndëshkuese dhe do t’i konsiderohet kërkesa për statusin e kandidates.
Kryeministrja serbe, Anna Brnabiç dhe presidentja kosovare Vjosa Osmani, të cilat përfaqësonin dy vendet fqinjë në grindje, do të dërgojnë në atdhe porosinë: të ecet përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çtensionimin e situatës.
Proces gradual i anëtarësimit
Në vend të hapave konkrete të anëtarësimit, në deklaratën e përbashkët u përsërit premtimi për anëtarësim të Ballkanit në BE, dhe përshpejtimin e këtij procesi, nëpërmjet “integrimit gradual”, siç do ta quante atë sekretari i Këshillit të BE-së, Charles Michel, në konferencën e përbashkët me kryetaren e komisionit, Ursula von der Leyen.
Këshili i BE përsëriti kërkesën për reforma, por vuri edhe disa fonde të reja në dispozicion: Ato janë për projekte prej gjithsej 680 milionë euro, me fokus të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe promovimin e energjisë së rinovueshme, tha Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të bllokuara
Shqipëria për momentin ndodhet në grindje me Greqinë për shkak të Fred Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës, që edhe pas shtatë muajsh ndodhet në paraburgim. Maqedonia e Veriut bllokohet prej disa vitesh nga Bullgaria, e cila tani kërkon që Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën. Por qëndrimi përfundimtar i Greqisë dhe Bullgarisë do të merret vesh gjatë samitit dy ditor që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Në samitin e rregullt do të flitet kryesisht për çeljen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë. Gjermania e mbështet këtë, sipas një deklarate të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Bundestag. Por vende si Austria dhe Hungaria janë kundër bëhet e ditur nga qarqe qeveritare në Berlin. Austria kërkon që nëse çelen negociatat me Ukrainën, të çelen edhe me Bosnjë-Hercegovinën. Por këtë e kundërshton Gjermania. Sipas saj, Bosnja-Hercegovina, nuk është ende gati.
Pikërisht janë këto bllokada të njëpasnjëshme, që e kthejnë çështjen e zgjerimit në një proces të tejzgjatur. Kancelari gjerman, Olaf Scholz dëshiron t’i japë fund këtyre bllokimeve për shkak të çështjeve dypalëshe, siç janë ato mes Greqisë dhe Shqipërisë apo Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë fjalimit në Bundestag ai foli për reformimin e BE-së dhe u shpreh kundër vendosjes së vetos për çdo fazë të zgjerimit: Parlamentet kombëtare mund të vendosin për çeljen ose jo të negociatave, por jo për çdo fazë, tha ai. Ai tha, se vende që kanë bërë reforma, si për shembull Shqipëria, duhen vlerësuar, përndryshe dëmtohet i gjithë procesi./DW/