Pavarësisht se patën një mundësi “të artë”, për t’u kualifikuar në raundin e 1/16-ve, të UEFA Champions League, “Luanët” turq, të Galatasaray u mundën, mbrëmjen e së martës, që sapo lamë pas, në transfertën e Copenhagen, për t’i dhënë fund kështu “aventurës”, në elitë, teksa tashmë do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre, në UEFA Europa League.
Një koment të shkurtër pas ndeshjes e bëri edhe “veterani” belg i sulmit të Galatasaray, Dries Mertens, i cili “karikoi” jo pak tifozët, teksa tha se ai dhe shokët e tij të skuadrës do të tentojnë të fitojnë trofeun e Europa League, për herë të dytë në histori të klubit.
“Jemi shumë të zhgënjyer, sepse gjatë gjithë fazës së grupeve patëm shansin të renditeshim më lart, por në fund përfunduam vetëm të tretët. Është e mrekullueshme të luash për këtë klub dhe jam shumë krenar që luaj këtu. Është çmenduri të shohësh sesi tifozët janë gjithmonë aty duke na mbështetur. Tani kemi si objektiv të fitojmë Europa League. Gjithmonë duhet të synojmë maksimumin, përndryshe kot që luajmë”, u shpreh 36-vjeçari i sulmit.
Ndërkaq, kujtojmë se përveç garimit në turnetë evropianë, “gjigantët” e Turqisë, po zhvillojnë një garë shumë të ethshme, për titullin e dytë radhazi të Superligës turke, teksa aktualisht ndodhen në vendin e parë të renditjes, me 40 pikë, po aq sa Fenerbahce e vendit të 2-të. /i.m /abcnews.al