Pas mbledhjes së deputetëve mbështetës të Foltores, Gazment Bardhi foli për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Bardhi tha se opozita dhe Sali Berisha do votojnë pro çdo kërkese të SPAK që është në përputhje me kushtetutën.
Bardhi shtoi se nëse plotësohen kërkesat e opozitës, do të shkojnë në Kuvend për të marrë pjesë në votimin për heqjen e imunitetit ndaj Berishës.
“Ne jemi njohur përmes medias me kërkesën e SPAK. Lajm i mirë që SPAK e di adresën e Kuvendit, kishim humbur besimin se e dinte adresën e Kuvendit dhe që e njihte detyrimin kushtetues që për t’i hequr të drejtën e lirisë një deputeti do të duhej të merrte autorizim. Shkresa që kemi lexuar nga media që e njeh kuvendin dhe do të duhet t’i drejtohet kësaj godine për të autorizuar çdo masë ndaj një deputeti.
Sa i përket votimit, biem dakord të gjithë, qëndrimi ynë dhe i Berishës voton pro çdo kërkese nga SPAK në përputhje me kushtetutën. E ftoj Ramën t’i përmbushë kërkesat e opozitës që të kemi mundësi për t’u rikthyer në një seancë normale dhe të marrin pjesë në plotësimin e kësaj kërkese. Asnjë çështje dytësore nuk devijon opozitës nga aksioni që ka nisur në parlament. “, u shpreh Bardhi./abcnews.al