Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla theksoi se do të duhet një ndërhyrje shumë e thellë nga vendet e fuqishme të botës për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Në një intervistë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ai u pyet edhe nëse Perëndimi po ndryshon qëndrim sa i përket kësaj çështjeje.
“Mendoj se ky konflikt që ka nisur me 7 tetor, nëse vazhdon kështu do të ketë një kohë të gjatë të vazhdimësisë së vet dhe vetëm ndërhyrje shumë të thella dhe të mëdha nga pikëpamja globale do të mund t’i jepnin fund këtij konflikti, i cili fatkeqësisht është i përgjakshëm.
Nga pikëpamja e Shqipërisë, mendoj se ne gjithmonë e më shumë do të vazhdojmë të fitojmë një interes dhe rëndësi në rolin e marrëdhënieve ndërkombëtare në raport se çfarë na takon ne dhe se çfarë mund të japim ne duke qenë se jemi një vend modest dhe anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE por që jemi edhe një vend i rëndësishëm në Mesdhe dhe kemi histori tonën.
Kjo lidhen edhe në raport me çfarë do të ndodhë. Izraeli do të vazhdojë një partner i Shqipërisë, dhe vendet e tjera nuk është se kanë ndryshuar pozicion kundër Izraelit por kanë ndryshuar pozicion për ta çuar votën drejt një paqeje dhe për t’i dhënë këtij konflikti një fund paqësor. Vende të cilat Shqipëria mund të kenë ndikim dhe vendet tek të cilat kanë ndikim tek Shqipëria në rastin konkret janë vendet e BE-së, SHBA dhe vendet e NATO-s.
Ndaj është e rëndësishme që në çështjen e konfliktit në Gaza dhe çështjen palestineze të kemi përgjegjshmëri, paanshmëri dhe jo tifozllëk dhe të punojnë të gjithë nga pak për t’i dhënë fund asaj që ndodhi në lindjen e mesme që nga 7 Tetori.”, përfundoi Kulla./abcnews.al

