Afrimi i festave si dhe rritja e konsumit po nxisin shtrenjtimin e çmimeve. Gjatë muajit nëntor është konstatuar një rritje e lehtë e inflacionit i cili ka arritur në 3.9% nga 3.8% që ishte një muaj më parë.Megjithatë nëse e krahasojmë me një vit më parë niveli i inflacionit është thuajse dyfish më i ulët. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor 2023 është 3,9 %, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 7,9 %. Edhe pse krahasuar me një vit më parë rritja e përgjithshme e çmimeve është ngadalësuar, shifrat tregojnë se çmimet e ushqimeve vijojnë të jenë në nivele të larta dhe përpos kësaj kanë dhënë kontributin kryesor në nivelin e inflacionit në muajin Nëntor.
Krahasuar me muajin Nëntor të vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.1%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6.0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.3% dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.5%.Uljen më të fortë të çmimeve vijon ta mbajë grupi .“Transporti” me 4.0%.
Duke u ndikuar dhe prej uljes së prodhimit vendas me ardhjen e dimrit çmimet e zarzavateve kanë pësuar shtrenjtim me ritme dyshifrore. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21.2%, pasuar nga nëngrupet “fruta” “qumësht, djathë e vezë” si dhe “mish”.
Në tentativë për të mbajtur të frenuar rritjen e çmimeve Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit gjatë nëntorit duke e çuar atë në 3.25%.Me anë të kësaj politike Banka Qendrore synon ë forcojë monedhën kombëtare kundrejt valutave të tjera.
Kthimi i inflacionit në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 % parashikohet të kthehet në mesin e vitit të ardhshëm.
NIVELI I INFLACIONIT
- Nëntor 2022 7.9%
- Nëntor 2023 3.9%
RRITJA E ÇMIMEVE SIPAS GRUPEVE
- Ushqime dhe pije joalkoolike 7,1 %
- Argëtim dhe kulturë 6,0 %
- Mobilje, pajisje shtëpie 4,8 %
- Hotele, kafene dhe restorante 4,3 %
- Pije alkoolike dhe duhan 3,5 %
- Veshje dhe këpucë 2,9 %
- Qira, ujë, dhe energji 1,9 %
- Transporti – 4,0 %
/abcnews.al