Drejtuesi i Vetëvendosjes në Tiranë: Në Shqipëri ka për të ndodhur ajo që ndodhi në Kosovë

schedule22:29 - 16 Tetor, 2019

schedule 22:29 - 16 Tetor, 2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News me gazetaren Mirela Milori ka qenë i ftuar Bojken Abazi, drejtues i vetëvendosjes në Tiranë. Abazi tha se Lëvizja Vetëvendosje është duke thelluar fitoren e saj edhe në votat mërgimtare, dhe se presin të kenë shumicën e vendeve në parlament, ndërkohë që ende vazhdohet me programet qeverisëse dhe me takimet me LDK. Abazi njoftoi dhe ardhjen e Albin kurtit në Tiranë për të festuar fitoren e LDK edhe me simpantizantët e tij në Shqipëri.

Pjesë nga biseda në studio:

Mirela Milori: Në lidhje me situatën e zgjedhjeve, vazhdon procesi i numërimit, aktualisht ku është ky proces?.

Bojken Abazi: Sipas informacioneve tona lëvizja vetëvendosje po prin bindshëm edhe në votat e mërgatës, kemi marrë deri tani mbi 51 % të këtyre votave. Jemi të bindur që kjo diferencë do të thellohet në raport me LDK. Janë ende 3400 vota pa u numëruar.

Mirela Milori: Sa numra mendoni se do keni në parlament?

Bojken Abazi: Si numër deputetësh në total ne jemi aktualisht 32 vende, kurse LDK diku te 30 vende.

Mirela Milori: Cilët do të jenë sektorët që do të mbulojë LVV?

Bojken Abazi: Disa dikastere duhet të jenë ministria e drejtësisë, të brendshme dhe të financave. Janë këto 3 ministri që ne do të synojmë për qeverinë e re. Unë besoj që në fund ta marrim së bashku, synojmë të flasim për programet më parë. Është rënë dakord në takimet e para për 7 pika por duhet zbërthimi i tyre që duhet pak kohë. Mbrëmë e kemi festuar fitoren në Prishtinë. Nuk është se ka ndodhur ndonjëherë është e para herë që në Tiranë të festojmë fitoren e madhe si ajo e vetëvendosjes në Kosovë. Ne e pamë të domosdoshme që ta festojmë edhe në Tiranë. Kjo fitore ka shkaktuar një entuziazëm të madh edhe këtu në Shqipëri.

Mirela Milori: Do të merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri ?

Bojken Abazi: Nuk kemi synime elektorale. Duhet të na vijë një kërkesë e tillë nga qytetarët dhe jo nga studiot televizive. Në Shqipëri jemi duke e zgjeruar organizatën tonë me anëtarësime të reja përditë dhe jemi duke thelluar programin tonë sipas modeleve që ne synojmë të aplikohet edhe në Kosovë.

Mirela Milori: Përse në Shqipëri nuk mund të ndodhë, ajo që ndodhi në Kosovë?

Bojken Abazi: Po në Shqipëri ka për të ndodhur ajo që ndodhi në Kosovë, dhe besoj se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt./abcnews.al