Shtetet e Bashkuara dhe Suedia kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen që do t’i lejojë ata të forcojnë lidhjet ushtarake dhe të fillojnë trajnimin e përbashkët ushtarak ndërsa Stokholmi pret anëtarësimin në NATO, tha Uashingtoni në një deklaratë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin nënshkroi marrëveshjen me homologun e tij suedez, Pal Jonsson.
Marrëveshja e mbrojtjes përcakton “kushtet që do të lejojnë forcat amerikane të operojnë në Suedi”, kryesisht në lidhje me “statusin ligjor të personelit ushtarak amerikan, aksesin në zonat e dislokimit” dhe “vendosjen e pajisjeve ushtarake”, shtoi Pentagoni.
“Suedia është një partner i fortë dhe i aftë i mbrojtjes që mbështet vlerat e NATO-s dhe do ta forcojë më tej aleancën sapo të përfundojë anëtarësimi i saj në NATO,” vuri në dukje ai.
Të dy ministrat ranë dakord për rëndësinë e mbështetjes së fortë dhe të vazhdueshme për Ukrainën përballë pushtimit rus”, tha Departamenti i Mbrojtjes i SHBA.
Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar shqetësim në Finlandë dhe Suedi. Helsinki u bashkua me NATO-n në prill, ndërsa Stokholmi ende pret miratimin e anëtarësimit nga Turqia dhe Hungaria.
/abcnews.al