“PD në krizë psikologjike dhe administrative”, Petro Koçi: Berisha duke shmangur gjykatën tregoi se është një frikacak

schedule23:34 - 5 Dhjetor, 2023

schedule 23:34 - 5 Dhjetor, 2023

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, thotë se PD-ja po tenton që tërësinë e problemeve të veta t’i sjellë në seancat e Kuvendit duke prodhuar kaos, përplasje dhe hedhje flakadanësh. Gjatë intervistës në “Ora e Fundit” në ABC News,  Koçi u shpreh se PD po vuan të gjitha llojet e krizave dhe sjelljet e tyre në parlament nuk janë asgjë më shumë, por thjesht imazhi i tyre i vërtetë.

“Kjo është një përpjekje e PD për të transferuar krizën në të cilën ndodhet në PD. PD është në krizë psikologjike, organizative dhe në krizë elektorale. Janë të gjitha llojet e krizave që është përfshirë PD, të cilat shkaktojnë këto sjellje të papëlqyeshme në Parlament”, tha ai.

Ai theksoi se Sali Berisha po demonstron krizën e tij personale, sidomos pas goditjes që mori nga SHBA duke u shpallur “non grata” për korrupsion dhe minim demokracie. Deputeti i PS-së komentoi veprimet e Berishës, i cili për herë të tretë refuzoi të shkonte në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë, sa i takon dosjes hetimore për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

“Tani është kriza e tij personale, sepse është o shpallur non grata që është goditje shumë e madhe dhe është kërkesa e drejtësisë, e cila kërkon t’i përgjigjet asaj për çështje korrupsioni. Kjo tregon se së pari është një frikacak dhe e ka frikë drejtësinë. Ai duhet të ishte modeli që respekton ligjin dhe shtetin, por ai nuk e ka as burrërinë as moralin politik. Me këtë dëshmon se nuk ka qenë kurrë burrë shteti, por një burrë anti-shtet”, theksoi ai.

Por si do të reagojë PS, në kushtet kur deputetët e Foltores vazhdojnë me skenarin e tyre e rrëmujës dhe zhurmës në Kuvend, për këtë Koçi u përgjigj si vijon:

“Ne do ruajmë gjakftohtësie dhe nuk duam ta kthejnë atë në një betejë mes deputetësh dhe grupeve, dhe ajo që po bën foltorja është një sfidë ndaj shtetit dhe ata duhet t’i përgjigjen shtetit. Do ruajmë gjakftohtësinë dhe nuk do biem në grackën e Foltores. PD e ka kaluar vijën e kuqe”, tha Koçi./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!