Ekskluzive | Milorad Dodik: Republika Serbe mund t’i bashkohet Serbisë pas precedentit të Kosovës

schedule15:48 - 16 Tetor, 2019

schedule 15:48 - 16 Tetor, 2019

Anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, në një intervistë ekzluzive për ABC News u shpreh i bindur se Bosnja nuk do të mbijetojë. Ai theksoi se republika serbe mund t’i bashkohet Serbisë pas precedentit të krijuar nga Kosova.

Idro Seferi – ABC News: A është Bosnja një problem i pazgjidhur për ju?

Dodik: Bosnja dhe Hercegovina për vetë faktin që është konstituuar vetëm pas luftës, është problem i pazgjidhur. Unë nuk jam aventurier dhe nuk bëj asnjë plan timin të bazuar në ndonjë luftë. Por, gjithsesi e bazoj në politikat e mia. Unë jam njeri që ka qenë në krye të qeverisë së Republikës Serbe dhe jam hequr nga ky post me disa veprime të bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësi e cila solli një qeveri tjetër në Republikën Serbe. Por pesë vjet më vonë me mbështetje mbi 50 për qind jam votuar dhe jam kthyer në vitin 2006, dhe deri më sot fitojmë në të gjitha zgjedhjet; këtu tek ne zgjedhjet bëhen ҫdo dy vjet dhe asnjë herë nuk kemi humbur. Kjo tregon se politika ime është e bazuar drejtpërdrejt në mbështetjen e njerëzve dhe unë nuk manipuloj me këtë. Njerëzit e dinë mirë që ajo që u them në fushatë qëndron edhe jashtë saj. Dhe, nuk mund të lejojmë të ndodhë që sa herë të shohim një amerikan apo britanik, të tmerrohemi. Nuk duhet të jetë ashtu dhe ata duhet të na frikësohen ne, kur të vijnë këtu. Kjo jo në kuptimin që do tu ndodhë ndonjë gjë fizikisht, por që ta dinë që kemi qëndrim të qartë për këtë. Kam dëgjuar shpesh nga administrata amerikane të më kenë thënë se ky është interes kombëtar i SHBA dhe unë u përgjigjem që ky nuk është interesi im kombëtar. Ata më thonë, se nuk u intereson kjo dhe unë u them që as mua nuk më interesojnë gjërat e tyre. Këtu I bie të jem unë i keqi, natyrisht kur ata kanë shumë më shumë fuqi se sa unë.

Idro Seferi – ABC News: Ekziston mundësia që Republika Serbe të shkëputet, t’i bashkohet Serbisë, të shpallni pavarësinë në rast të ҫfarëdo ndryshimi në Ballkan?

Dodik: Po natyrisht, përse jo? Përse është e lejuar që të krijohet stereotip që Kosova mund të jetë në një perceptim të Perëndimit shtet, kurse Republika Serbe nuk mund të jetë? Kur, pothuajse kushtet janë të ngjashme. Kam lexuar diku një deklaratë të Kreford, ai ka qenë ambasador në Bosnje dhe Hercegovinë dhe pas asaj ka qenë në vitet 2000 ambasador në Beograd. Kur ka dalë në pension ka folur, pasi si ambasador ka punuar nën urdhra. Në një tubim në Budapest, pas daljes në pension, ka treguar se si bashkësia ndërkombëtare është e padrejtë, pasi në kushte gati të njëjta si në Kosovë, ku thuhet se shqiptarët ose shqiptari, nuk mund të jetojnë së bashku me serbët pasi historikisht nuk tolerohen, luftojnë, vriten, bëjnë kampe, dhunojnë gratë etj. Por bashkësia ndërkombëtare thotë Kosova mund të shkëputet dhe ka të drejtë. Por, siҫ thotë ambasadori, në Bosnje dhe Hercegovinë, thonë se serbët dhe myslimanët nuk munden të jetojnë bashkë, në histori kanë qenë në konflikte të vazhdueshme, në anë të kundërta të historisë, luftojnë, gjithmonë në luftë kanë qenë në anë të kundërta, kanë bërë krime njëri ndaj tjetrit, kanë bërë kampe, dhunuar gra, kanë vrarë fëmijë dhe bashkësia ndërkombëtare thotë duhet të heshtni dhe të rrini bashkë. Këtë e thotë ai. Unë konsideroj se kemi të drejtë në bazë të preambulës së Kombeve të Bashkuara, e cila thotë se populli ka të drejtë në vetëvendosje. Ndoshta nuk duhet të dëshmoj që populli serb ka karakteristika të popullit. Besoj se populli serb do të ketë rastin që të deklarohet për këtë. Elita politike boshnjake gabon, pasi nuk lejon dhe nuk jep kurrfarë garancie për serbët, që të ndihen mirë në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjithҫka që ata duan është t’ia imponojnë mendimin e tyre Republikës Serbe dhe serbëve; dhe gjasme të hakmerren ndaj serbëve, të cilët kanë mbrojtur shtëpitë e tyre, familjet. Ata që kanë kryer krime le të përgjigjen, por është e pamundur që për krimet ndaj serbëve të mos përgjigjet askush. Ky fakt edhe më shumë e rëndon Bosnje dhe Hercegovinën, edhe më shumë e ndan,  dhe më shumë largon mundësinë që ajo të mbijetojë./abcnews.al