Liderja e Hong Kongut, Kerri Lam ka deklaruar se nuk do ta tolerojë më dhunën e protestuesve pro-demokracisë. Ajo ka paralajmëruar se do të udhëzojë policinë të përdorë çdo lloj mjeti për t’i dhënë fund akteve të dhunës.
Liderja e Hong Kongut, Kerri Lam deklaroi të martën se nuk ka ndërmend të bëjë lëshime për protestuesit pro-demokracisë, përballë akteve të përshkallëzuara të dhunës. “E kam thënë në disa raste se dhuna nuk do të sjellë zgjidhjen e problemit, por vetëm sa do të gjenerojë më shumë dhunë”, ka deklaruar Lam në një konferencë për shtyp.
Ajo ka theksuar se lëshimet vetëm sa do të përkeqësonin situatën dhe ka shtuar se nga ana tjetër, autoritetet duhet të marrin në konsideratë çdo mjet për t’i dhënë fund dhunës. Protestuesit në Hong Kong kanë 5 kërkesa kryesore, mes të cilave përfshihen e drejta e votës dhe një hetim i pavarur mbi dhunën e tepruar të forcave të rendit gjatë demonstratave.
Hong Kongu është përfshirë nga protestat prej katër muajsh, me marshime masive dhe në disa raste me akte të dhunshme, që kanë degraduar në përdorimin e gazit lotësjellës, bombave molotov dhe plumbave.
Qytetarët druhen se Pekini po shton kontrollin e tij mbi rajonin autonom, duke i dhënë fund të drejtave demokratike që gëzojnë. Nga ana e tij, Pekini i mohon akuzat dhe bën përgjegjëse vendet perëndimore, si Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, për nxitje të protestave.
Manifestimet përbëjnë edhe sfidën më të madhe për presidentin Xi Jinping që nga ardhja në pushtet në vitin 2012. Vetëm javën e kaluar ai paralajmëroi se kush do të përpiqet të përçajë Kinën do të shkatërrohet nga forca e saj./ABC News Albania 24/7