Banorët e Unazës së Re i janë drejtuar me një letër ambasadave të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ku kërkojnë shkarkimin e ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Nisur nga gjesti ofendues që Borchardt bëri pak ditë më parë ndaj tyre, banorët kërkojnë që përfaqësuesi i OSBE të largohet menjëherë nga Shqipëria.
Me duar të lidhura me zinxhirë e gojë të mbyllur me shirita të bardhë banorët e Unazës së Re protestuan sërish për 60 minuta kundër projektit që prish banesat e tyre.
Protesta e dominuar nga gratë që mbanin pranë vetes fëmijët e tyre në fund u mbyll me një akt proteste kundër ambasadorit të OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt për gjestin e bërë prej tij pak ditë më parë ndaj tyre.
Të grupuara në atë që e cilësuan si Lëvizja e Grave për Dinjitet, protestueset nënshkruan një shkresë që synon shkarkimin e ambasadorit të OSBE, Borchardt dhe që iu drejtua disa prej institucioneve më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.
Protestuesit kanë paralajmëruar një përshkallëzim të protestës. Duke kujtuar se durimi i tyre po mbaron, banorët e Unazës kanë vendosur 18 tetorin si datën finale ku qeveria do të ketë kohë t’i jap një përgjigje kërkesave të tyre./ABC News Albania