Kosova është në prag të Ditës së Flamurit dhe për këtë ka folur në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Update”, analisti Agron Hoti.
Ai fillimisht tha se Kosova ka ndryshuar nga ajo e vitit 1999 duke bërë shumë ndryshime dhe pasi njihet nga 57 shtete.
“Sigurisht që Kosova ka problemet e veta, po po ta krahasosh me vitin 1999 ka shumë ndryshime. Sot, Kosova flet shqip dhe njihet nga 57 shtete. Ne jetojmë të lirë dhe gëzojmë një liri që nuk e kishim asnjëherë më parë”, u shpreh analisti.
Më tej, në aspektin politik Hoti tha se Kosova ka bërë një regres dhe kjo lidhet me problemet e krijuara në Veri. Sipas analistit, qeveria nuk ka bërë punën e duhur dhe si pasojë, po bën disa hapa mbrapa.
“Në aspektin politik ka një regres dhe kjo lidhet me problemet e Veriut të Kosovës. Kjo pasi qeveria nuk ka bërë punën e duhur, në mënyrë që të na hiqen sanksionet. Qeveria nuk po e bën këtë, por po bën disa hapa prapa”, deklaroi Hoti./abcnews.al