Aktori i humorit, Edmond Halili ka treguar se ishte nisur mëngjesin e së premtes nga Durrësi për të vizituar mikun e tij Zef Dedën por nuk mund ta takojë pasi, siç tregoi ai, në momentin që ka mbërritur tek dera e shtëpisë së tij në Shkodër, është njoftuar se mjeshtri i madh ishte ndarë nga jeta.
Halili, i cili ka ndarë skenën me aktorin e madh, theksoi se largimi nga jeta i Zef Dedës është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar.
“E kemi pasur vëlla të madh. Është një dhimbje shumë e madhe për qytetin e Shkodrës dhe humorin shkodran dhe shqiptar. Sot u nisa enkas nga Durrësi për të pirë një kafe tek shtëpia e tij. Sa kam hyrë, doli infermieri dhe tha se Zefi dha shpirt. Imagjino se si e kam ndjerë veten në këto momente.
Më erdhi jashtëzakonisht shumë keq. Me Zefin kemi shumë kujtime të mira, kemi dhënë shfaqje të mrekullueshme. Ka qenë një aktor i famshëm i madh. Nuk bën më nëna Zef Dedë sa të ketë jeta”, u shpreh Halili.
/abcnews.al


