Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dërgoi gjashtë këshilltarë policorë të cilët do të punojnë në katër stacionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Dislokimi është bërë të enjten dhe ka për qëllim përforcimin e kapacitetit këshillues dhe monitorues të këtij misioni, bëri të ditur EULEX, shkruan REL.
Dislokimi do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit “derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.
“Në mënyrë të veçantë, ES e EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet”, njoftoi EULEX.