Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Shkupi ka porositur se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO-n. Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Stoltenberg u shpreh se Maqedonia e Veriut është një aleat i çmueshëm i NATO-s.
Siç theksoi ai, Maqedonia e Veriut kontribuon në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), ka shprehur përkushtimin për të harxhuar 2 për qind të PBB-së në mbrojtje, ka dënuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, si dhe ka dhënë mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
“NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO. Aleanca garanton sigurinë tuaj, ju jeni të mbuluar nga patrullimi ajror i NATO-s. Avionët luftarakë nga Greqia dhe Italia patrullojnë qiellin tuaj për t’ju mbajtur të sigurt. Ky është solidariteti i NATO-s në veprim”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se siguria në Ballkanin Perëndimor është e rëndësisë thelbësore për NATO-n, duke shtuar se ka arsye për shqetësime.
Ai përsëriti thirrjen për liderët politikë të Bosnjë e Hercegovinës që të përmbahen nga retorika përçarëse dhe separatiste, si dhe theksoi nevojën që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me ndikimin rus në Ballkan dhe mundësinë për destabilizim, Stoltenberg tha se nuk sheh ndonjë kërcënim iminent ushtarak rus ndaj asnjë aleati të NATO-s, duke shtuar:
“Megjithatë, ne mbetemi vigjilentë. Ne monitorojmë nga afër se çfarë po bën Rusia dhe ne mbetemi të bashkuar. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, me KFOR-in, me selinë në Sarajevë dhe në fakt edhe një zyrë në Beograd dhe ne jemi të gatshëm që në mënyrë të shpejtë të dërgojmë përforcime dhe të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur çdo aleat nga çdo kërcënim. Por përsëri, ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak kundër asnjë aleati të NATO-s”.
“Me unitetin tonë si aleatë, ne dëshmuam se Aleanca është më e fortë dhe më e madhe se kurrë më parë”
Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski e vlerësoi Stoltenberg-un si “mikun e madh” të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se kjo është vizita e tij e parë në Shkup pasi vendi u bë anëtar i plotë i NATO-s.
Ai shtoi se u diskutua për Aleancën, integrimin euroatlantik të vendit dhe rajonit, por edhe për sigurinë dhe paqen botërore, si dhe për zhvillimet më domethënëse që ndodhin në rajon, në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës.
Kovaçevski theksoi se NATO-s nënkupton siguri, duke shtuar se Maqedonia e Veriut njihet si faktor i stabilitetit në rajon.
“Për disa muaj do të arrijmë objektivin prej 2 për qind të PBB-së që kemi vendosur në Samitin e sivjetmë në Vilnius, ku edhe kemi rënë dakord për planin më të fuqishëm të mbrojtjes së NATO-s. Po ashtu po vazhdojmë kontributin tonë në misionet e NATO-s në Kosovë dhe Irak, si dhe në grupet luftarake të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari. Me unitetin tonë si aleatë, ne dëshmuam se Aleanca është më e fortë dhe më e madhe se kurrë më parë, edhe atë në vitin që solli sfidën më të madhe për aleancën që nga themelimi i saj“, tha Kovaçevski.
Ai theksoi gjithashtu nevojën e anëtarësimit të vendit në BE, duke shtuar se nuk duhet të ketë pengesa në këtë rrugë.
“Në këtë rrugë evropiane, çdo mbështetje është e mirëseardhur dhe e dëshiruar. Dhe këtu dua të falënderoj personalisht sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për angazhimin e tij të fuqishëm për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi. Një qëllim strategjik me NATO-n për ne është përmbushur. Besoj se me ndihmën tuaj dhe të miqve tanë nga komuniteti euroatlantik do të kemi sukses në përmbushjen e qëllimit të dytë strategjik, anëtarësimit në BE”, tha Kovaçevski.
Shefi i NATO-s gjatë ditës së sotme mbajti fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Gjatë ditës së nesërme, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e takimit jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni. Stoltenberg dhe Kovaçevski do të mirëpresin liderët e ftuar të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Stoltenberg është në një turne katër-ditor në Ballkan nga 19 deri më 22 nëntor, gjatë të cilit ai vizitoi Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.