Kosova ka humbur 400 milionë euro investime për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve me ndërkombëtarët. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka theksuar se nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.
Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë së Kosovës, Zana Beqiri tha në një intervistë për “Money Report” se e kanë shprehur prej kohësh shqetësimin se do të ketë një humbje të madhe nga sanksionet ndërsa shtoi se qeveria duhet të negociojë me zyrën e BE për këtë çështje.
“Kemi një numër të madh projektesh, përfshirë investimet kapitale që duket se nuk janë në trendin më të mirë. Kemi shpresuar se qeveria do të ndërmarrë hapa dhe do të hapë ndonjë negociatë me zyrën e BE sa i përket fondeve të cilat janë bllokuar për shkak të sanksioneve. Mirëpo nuk duhet se një gjë e tillë do të ndodhë ndaj kemi menduar që të investohet në investimet kapitale që tregtia të gjenerojë të hyra mjaftueshëm për bizneset tona derisa të jetë një fazë kalimtare.“, u shpreh Beqiri.
Ajo u shpreh se masat e marra ndaj Kosovës por edhe situata politike kanë ndikuar shumë edhe në imazhin e Kosovës tek bizneset ndërkombëtare.
“Nëse analizohet vetëm buxheti i Kosovës i vitit të kaluar, shihet se fokusi ka qenë në grante të ndryshme. Me ndërprerjen e këtyre fondeve të gjitha këto aktivitete, si grante, subvensione janë ndërprerë dhe do të thotë se nuk është vazhduar tutje me bashkë investim që do të sillte zhvillim më të mirë ekonomik. Për vitin e ardhshëm nuk i mbështet mjaftueshëm dhe kemi pasur vërejtje ne si dhomë për nivelin e ulët të planifikuar të investimet kapitale, për ne është me rëndësi që shteti të investojë sa më shumë dhe më parë. Një ngadalësim i investimeve kapitale, plus që edhe situata politike, sjell pasiguri shtesë dhe probleme te tjera se si na shohin bizneset dhe partnerët jashtë.”, u shpreh Beqiri.
Ajo thotë se fokusi ka qenë në marrëdhëniet me Serbinë, dhe qeveria ka lënë në hije aspektin ekonomik, i cili duhet të bëhet prioritet për të siguruar një treg më të mirë për bizneset si edhe për zhvillimin social.
“Ne kemi advokuar gjatë gjithë kohës që Kosova të investojë më tepër në vetëdijësimin e bizneseve jashtë. Raportet të tilla nga BE apo DASH, të cilat kanë mjaft zhvillime edhe negative, ndikojnë në një imazh negativ të vendit. Të gjitha i marrin për bazë informacionet që kanë dalë nga vetë zhvillimet në vend ndaj qeveria të përmirësojë hapa konkretë sa i përket bashkëpunimit me BE dhe SHBA dhe pastaj të vazhdojë me hapa të tjerë si fondet e IPARD apo të tjera“, shtoi ajo.
Teksa u ndal tek mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë, ajo theksoi se ndikojnë një sërë faktorësh duke nisur nga largimi i të rinjve nga vendi, nga fakti që shumë shtete nuk e njohin Kosovën ndaj të cilave nuk mund të ketë qasje punëtore por edhe tek problemet që lindin me procedurat burokratike./abcnews.al