Në Ministrinë e Brendshme u firmos sot një dokument që synon mbrojtjen e posaçme të fëmijëve nga dhuna seksuale me burim internetin por edhe në jetën e përditshme, që emërtohet “Pakti kombëtar kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri”. Dokumenti u firmos nga ministrat Taulant Balla, Ogerta Manastirliu, Albana Koçiu dhe Bora Muzhaqi.
Në fjalën e tij, ministri Balla theksoi se “ky pakt që ne nënshkruajmë sot nënkupton një koordinim dhe një bashkëveprim të të gjithë aktorëve në të gjithë territorin e vendit për mbrojtjen e fëmijëve, pikë së pari, nga dhuna seksuale”.
Balla u shpreh gjithashtu se “ndihem krenar deri më tani, për çfarë kemi arritur së bashku me të gjitha institucionet e tjera për sa i përket rezultateve të Paketës së Sigurisë në Shkolla, por dua t’ju garantoj që ky është vetëm fillimi i një pune dhe angazhimi të përditshëm nga ana e të gjitha strukturave shtetërore.”
Më poshtë fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla mbajtur në këtë takim:
Të nderuar pjesëmarrës,
Po diskutoja me koleget, sepse OKB i thotë “Dita botërore e fëmijëve” ndërkohë që në përdorimin e përditshëm në Shqipëri quhet “Dita ndërkombëtare e të drejtave të fëmijëve”. Nuk ka rëndësi për përkthimin në shqip të asaj çfarë përfaqëson kjo ditë. E rëndësishme është që po është e vërtetë, ne jemi sot këtu, 4 ministra të qeverisë shqiptare për të bashkuar bashkë me shoqërinë civile, të gjithë angazhimin, me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve.
Siç jeni në dijeni, që në fillim të këtij viti të ri shkollor, pra 2023-2024, me Ministren e Arsimit kemi shpallur një paketë të re masazh e cila përmblidhet tashmë në Paketën e Sigurisë në Shkolla dhe ku kemi kërkuar angazhimin e çdo institucioni për garantimin dhe rritjen e sigurisë në shkolla.
T’ju them të drejtën, ndihem krenar deri më tani, për çfarë kemi arritur së bashku me të gjitha institucionet e tjera për sa i përket rezultateve të Paketës së Sigurisë në Shkolla, por dua t’ju garantoj që ky është vetëm fillimi i një pune dhe angazhimi të përditshëm nga ana e të gjitha strukturave shtetërore. Bashkëveprimi mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit por edhe strukturave të tjera, sepse kujtoj që kemi edhe të përfshira këtu edhe institucione si AKU-ja, e cila sot mund të dëshmojë një sërë rezultatesh të prekshme për të garantuar që çdo lloj ushqimi që shitet pranë institucioneve mësimore, të jetë i kontrolluar. ISHSH është gjithashtu i angazhuar, i cili si asnjëherë tjetër më parë, po verifikon se si është higjiena brenda institucioneve arsimore, por, më shumë se kaq, edhe brenda perimetrit të sigurisë si një definicion i ri, i vendosur për të garantuar sigurinë në shkolla.
Më vjen mirë që kësaj nisme, tashmë i janë bashkohet edhe shoqëria civile. E kam mirëpritur propozimin që Altini më solli para pak ditësh dhe idenë e propozuar nga CRCA dhe Alo 116-111 për të konkluduar sot, me këtë, do të thoja unë, pakt kombëtar, kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri. Dhe ky pakt që ne nënshkruajmë sot nënkupton një koordinim dhe një bashkëveprim të të gjithë aktorëve në të gjithë territorin e vendit për mbrojtjen e fëmijëve, pikë së pari, nga dhuna seksuale, e cila është një përgjegjësi që duhet ta marrim të gjithë së bashku, por edhe një ftesë, edhe për aktorë të tjerë, të cilët nuk janë sot këtu. Ky pakt është një dokument i hapur, për t’u firmosur, apo jo Altin, edhe në ditët në vijim, nga të gjithë aktorët që do të duhet domosdoshmërisht të bëhen pjesë e këtij angazhimi kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Zhvillimi dhe rritja e vazhdueshme e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka krijuar mundësi për të komunikuar më mirë, për të bashkëvepruar por madje edhe për të mësuar. Por besoj që nga këto avantazhe të internetit, ka ofruar gjithashtu edhe fshehtësinë, anonimitetin dhe errësirën që lehtësojnë kryerjen e veprimtarive të paligjshme, deri diku, me pandëshkueshmëri.
Pra e vërteta është që ne nuk arrijmë të kontrollojmë sot sa e si duhet gjithçka që qarkullon në rrjet dhe që ka dëshmuar e dëshmon çdo ditë që të jetë e dëmshme për fëmijët.
Nuk duhet të shpërfillim këtu faktin që fëmijë apo adoleshentë vuajnë nga dhuna seksuale edhe në familjet e tyre, në mjedisin e tyre familjar apo në jetën e përditshme dixhitale.
Ne as nuk duhet ta fshehim dhe as ta banalizojmë këtë realitet të frikshëm. Dhe mbi të gjitha, na duhet ta pranojmë. Nuk mjafton thjesht të reagojmë, të tregojmë shqetësim, të kujtohemi vetëm me 20 nëntor siç është dita e sotme, por duhet të jemi sistematikë në mënyrë të përditshme. Dhe madje duhet të jemi bashkë në të gjithë indinjatën që duhet të shprehim kur këto krime publikohen dhe duhet të jemi shumë drastikë në këtë këndvështrim.
Lufta kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është një detyrë morale. Për ne të katër këtu, është edhe një angazhim politik, jo vetëm si anëtarë të qeverisë por edhe të forcës politike që kemi nderin të përfaqësojmë.
Për ne mbetet shumë e rëndësishme që të zbulohet dhe të ndalet çdo lloj forme abuzimi, atje ku ndodh, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’u ofrohet ndihmë kujtdo që bie pre e dhunës seksuale.
Dhe mjeti më efektiv në trajtimin e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet është parandalimi. Parandalimi kërkon rritjen e ndërgjegjësimit, edukimin dhe sensibilizimin e të gjithë palëve të interesuara, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve të tyre brenda dhe jashtë ambienteve të shkollës. Na duhet të fuqizojmë fëmijët dhe të rinjtë nëpërmjet trajnimit mbi përdorimin e sigurt të teknologjive të reja dhe mediave sociale, si dhe duke përdorur edhe linjat telefonike të dedikuara, siç është ajo që e tha para pak Altini, për fëmijët, për të raportuar abuzimin dhe shfrytëzimin online.
Po e vlerësojmë edhe me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Arsimit mundësinë që të përfshijmë brenda Paketës së Sigurisë në Shkolla edhe garantimin e Internetit të sigurt si pjesë e këtij angazhimi.
Na duhet që të gjithë fëmijët duhet të kenë akses në mjetet e mbrojtjes dhe informacion konkret se si të identifikojmë abuzimin dhe të raportojmë krimet dhe ku mund të kërkohen udhëzime për ndihmë për gjithsecilin.
Për ta mbyllur, dua t’ju them që është e rëndësishme, edhe rritja e përgjegjësisë sociale e kompanive ofruesve të shërbimeve dhe përmbajtjeve të Internetit.
Ju e dini opinionin tim për “TikTok”-un dhe nuk ka nevojë që ta shpreh. Unë jam i qartë. Për mua “TikTok” duhet mbyllur. Megjithatë, ky është mendimi im personal, e jo si ministër i Brendshëm i vendit.
Megjithatë, ajo që dua t’ju them, ka të bëjë me paktin që ne nënshkruajmë sot.
Unë dua t’i falënderoj koleget ministre të cilat bëjnë një punë të shkëlqyer, më shumë se unë, në mënyrë të përditshme, për këtë pjesë, për të cilën jemi mbledhur sot. Dhe duhet që ta zgjerojmë spektrin e veprimeve tona për të kontribuuar në eleminimin e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.
Jam shumë i sigurt që do të duhet ta mbajmë të hapur këtë debat publik, këtë diskutim kudo, në të gjithë shoqërinë tonë për të garantuar sigurinë e mbrojtjes së fëmijëve jo vetëm online por edhe në jetën e tyre të përditshme. Dhe këtë, jam shumë i sigurt që mund ta bëjmë vetëm së bashku.
Ju falënderoj me gjithë zemër për vëmendjen tuaj dhe shumë faleminderit që keni ardhur sot në Ministrinë e Brendshme./abcnews.al