Përveç përballjes, Moldavi-Shqipëri, këtë të premte do të zhvillohen dhe plot 6 sfida të tjerë, të vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku një sërë ekipesh do të luftojnë për kualifikimin deri në javën e fundit të këtyre eleminatoreve, me misionin e vetëm, sigurimin e një bilete për fazën e grupeve të Euro 2024.
Gjithçka nis me përballjen e orës 16:00, të grupit H, mes Kazakistanit e San Marinos, me kazakët që ndodhen në kuotën e 15 pikëve, 4 pikë pas kryesuesve të Sllovenisë e Danimarkës, mirëpo kazakët kanë “fatin” e madh, që këto dy të fundit përballen me njëra tjetrën, duke lënë gjithçka të hapur në këtë grup, ndërkaq në përballje tjetër të këtij grupi është edhe sfida,Finlandë-Irlandë e Veriut, sfidë e cila nuk luhet për asgjë përveç statistikave.
Në grupin C, “Tre Luanët” e Anglisë do ndeshen ndaj Maltës, në një sfidë që luhet thjesht për statistike, me djemtë e Gareth Southgate, që kanë arritur të kualifikohen si “koka” e grupit, ndërsa Malta gjendet në vendin e fundit të grupit, me 0 pikë. Në krahun tjetër, “të kaltërit” e Italisë do të “luftojnë” në “Stadio Olimpico” për kualifikimin, ndaj Maqedonisë së Veriut, teksa deri më tani ndodhen në vendin e 3-të të renditjes, me 10 pikë, 3 më pak se Ukraina e vendit të 2-të, duke rrezikuar jo pak pjesëmarrjen në fazën finale të trofeut.
Ndërkaq, në orën 20:45 do të zhvillohet edhe sfida tjetër e grupit E, mes Polonisë e Çekisë, ku në rast fitoreje të polakëve, mund të themi me plot gojë se do të kualifikohemi në Evropian, si “koka” e grupit, mirëpo nëse ndodh që fitorje t’ju takojë çekëve rrezikojmë jo pak të lëshojmë vendin e parë, në një grup ku kemi dominuar totalisht. /i.m /abcnews.al